Vajza që i mbijetoi tragjedisë do të jetojë në shtëpinë e xhaxhait
Dea nuk di ende për fatin e familjes së saj, prindërve dhe motrës më të madhe, dhe as se si do të jetë jeta e saj pas tragjedisë. Të afërmit e saj tregojnë se fëmija ka filluar të ndjejë mungesën e prindërve. Shikon nga dritarja makinat poshtë spitalit dhe thërret, babi, babi sepse i dukej sikur ishte makina e të atit.
Tiranë – Dea Spahiu , vajza 2 vjeçare që i mbijetoi tragjedisë së ndodhur para pak ditësh në kryeqytet, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, familja e saj u shua, është drejt shërimit të plotë.
Fëmija 2 vjeç ndodhet në pediatrinë e QSUT- së dhe sipas personelit spitalor ka marrë plagë të rënda në fytyrë e duar, por po vazhdon përkujdesja për të, dhe vetëm brenda pak ditësh mund të largohet nga ambjentet spitalore. Ndërkohë Dea nuk di ende për fatin e familjes së saj, prindërve dhe motrës më të madhe, dhe as se si do të jetë jeta e saj pas tragjedisë.
Të afërmit e saj tregojnë se vajza ka filluar të ndjejë mungesën e prindërve. Shikon nga dritarja makinat poshtë spitalit dhe thërret babi, babi sepse i dukej sikur ishte makina e të atit.
Megjithatë vajza e mbetur jetime të paktën nuk do të nisë jetën e befotrofeve, por do t’i bashkohet familjes së xhaxhait të saj. Në një intervistë për gazetën IDEA, xhaxhai i Deas shprehet se foshnja gëzon shëndet të mirë dhe vetëm brenda pak ditësh pritet të dalë nga spitali.
Tani është shumë mirë, edhe mjekët janë kujdesur dhe kanë bërë gjithçka mundën. Presim që brenda 4-5 ditësh ta nxjerrim nga spitali. Kjo edhe për shkak të shëndetit të saj, por ende vazhdojnë që të vijnë familjarë për ngushëllim dhe nuk duam ta trondisim tha ai.
Ndërkohë xhaxhai i saj është dhe personi i parë që u ka vajtur në ndihmë viktimave, por pa mundur t’i shpëtojë. Ai tregon se është ngjitur drejt shtëpisë për të shpëtuar mbesën dhe kunatën, por ato të dyja kishin vdekur. Gjithashtu ai është përpjekur të sjellë në jetë vëllain duke i bërë masazh në kraharor, por dhe ai pati të njëjtin fat si bashkëshortja dhe vajza. Në vazhdim dhe i përlotur ai ka deklaruar se do të jetë personi që do të kërkojë të marrë kujdestarinë e vajzës.
Vajza patjetër që do të jetojë në shtëpinë time. Unë bashkë me bashkëshorten do të kujdesemi për të njësoj si për fëmijët tanë, e kemi dhe mundësinë për ta mbajtur. Do i filloj të gjitha procedurat që ta marr unë në kujdestari” tha Spahiu.
Ndërsa, të afërm të tjera të Deas së vogël shprehen se ka edhe të afërm të tjerë që kujdesen për të, por ai që kujdeset sistematikisht është xhaxhai. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 4 dhjetorit në rrugën “Hoxha Tasim” ne Tiranë ku zjarri përfshiu apartamentin në katin e tretë të një pallati. Brenda banesës ndodheshin 4 antarë të familjes, Genc dhe Florida Spahiu të moshës 35 vjeçare dhe vajza e tyre 5 vjeçare Jona të cilët gjetën vdekjen, ndërsa më e vogla Dea mundi të shpëtojë.
Fillimisht policia mendoi si shkaktar të zjarrit shpërthimin e një bombule gazi, por të dhënat më të fundit tregojnë që shkak mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike në prizën e kondicionerit, ose është harruar i ndezur reflektori.
Kliti Topalli / IDEA
Shkrime të tjera me interes: