E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Dalja në zgjedhje, vendosim në 9 maj

PBDNJ-ja, sipas kreut të saj, Vangjel Dule, e ka të vështirë përfshirjen e gjerë në Parlament me sistemin e ri zgjedhor. Dule u shpreh se ende nuk është vendosur nëse kjo parti do të kandidojë si sigël më vete, apo si pjesë e ndonjë koalicioni në zgjedhjet e qershorit. Sipas tij, ky do të jetë vendim i kongresit të PBDNJ-së, që do të zhvillohet më datën 9 maj. Ndërkohë, për koalicionin me qeverinë aktuale Dule ka shprehur pakënaqësi, duke deklaruar se "ky koalicion, si të gjitha koalicionet e mëparshme, nuk ka arritur të kapërcejë problemet endemike që kanë koalicionet e bashkëpunimit në Shqipëri. Nuk janë koalicione programore, që mbështeten në sintezën e elementeve të ndryshme të alternativave politike që përfaqësojnë forcat e ndryshme politike. Më tepër funksionojnë si zyra kuadri ku plotësohen interesat e punësimit të lidershipëve të forcave të ndryshme politike", konstatoi Dule për "Shqip". Ai mori pjesë sakaq në një takim të organizuar paraditen e djeshme për krijimin e Unionit të Vllahëve të Shqipërisë. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe prefekti i Janinës, Alekos Kakrimanas, i cili ka premtuar mbështetje të komunitetit vllah në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›