E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Daljen në koalicion e vendosim të martën

 

Bledar Hoti

Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut do ta vendosë të martën fatin e saj politik, nëse do të konkurrojë në koalicion politik brenda së djathtës apo së majtës. Në kongresin e PBDNJ-së që starton nisjen e fushatës elektorale për këtë parti, Dule ka shpalosur programin politik, por njëkohësisht, edhe pse politikisht është në qeveri, ka folur si një opozitar. Kjo ka lënë të nënkuptohet se PBDNJ-ja mund të ndryshojë kursin pas katër vitesh qeverisje me të djathtën, duke u përfshirë në koalicionin politike me PS-në. "Nëse do të duhet që të lëmë mënjanë krenarinë tonë të kandidimit më vete do dëshironim pëlqimin tuaj, që me shumë vëmendje ditën e martë strukturat drejtuese të PBDNJ-së në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, me 'Omonian', me Unionin Vllah, me shoqatën 'Rozafa' do të nxjerrim një vendim përfundimtar", tha Dule. Vendimi pritet të merret pikërisht 24 orë para mbylljes zyrtare të afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve politike në KQZ për zgjedhjet e 28 qershorit. Dule ka bërë të ditur se partia e tij synon të fitojë pesë deputetë në këto zgjedhje, ndërsa e cilësoi si padrejtësi mosvotimin e emigrantëve, kërkesë për të cilën ka këmbëngulur fort e majta. "Qeveria në të cilën ne kontribuojmë, jemi pjesëtarë dhe kemi kontributin tonë, u angazhua se në zgjedhjet e radhës u garantua se emigrantëve do t'u garantohej e drejta për të votuar në vendet ku ata jetojnë. Dëgjuam forca politike edhe disa muaj më parë edhe sot, që në mënyrë demagogjike të flasin për votën e emigrantëve, por kur zhvillohej debati për Kodin e ri Zgjedhor dhe ekzistonin të gjitha kushtet dhe premisat që të mos shikonim vetëm xhepat dhe reminitancat e emigrantëve, por t'u jepnin atyre mundësinë e kontribuimit nëpërmjet votës së tyre të gjithë heshtën. Dhe ishte PBDNJ-ja e vetme që ngrinte zërin pa u dëgjuar. Sa më shpejtë të nisë procesi i hyrjes në BE dhe të përfundojë gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, edhe në vendin tonë duhet të realizohet adoptimi i monedhës së përbashkët euro", tha Dule. Ai shtoi se, "integrimi në NATO dhe vetë arritja në Aleancë u përdor si slogan demagogjik, më shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve". Dalja në koalicion politik duket se është një vendim i detyruar për PBDNJ-në, për shkak se sistemi i ri i detyron partitë e vogla të mos dalin vetëm në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›