Greqi, Karamanlis mbyll Kuvendin, opozita revoltohet
Qeveria e Kryeministrit Kostas Karamanlis në Greqi, ka vendosur të mbyllë Parlamentin para kohe, duke shkaktuar protesta nga partitë e opozitës, që vlerësojnë se qëllimi ishte mbyllja e skandaleve.Nga qeveria u komentua se mbyllja e parakohshme e Parlamentit u bë për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, që nisin më 7 qershor. Por skandalet në politikën greke kanë prekur edhe partinë më të madhe opozitare, Pasok. Ish-ministri i Transportit, socialisti Christos Verelis, dha dorëheqjen si deputet pas nisjes së një hetimi mbi korrupsionin e tij për një kontratë autobusësh, ku u përfshi kompania gjermane, MAN AG. Megjithatë gjatë pesë viteve të saj në pushtet, Partia qeverisëse "Demokracia e Re" është tronditur nga një sërë skandalesh, që variojnë nga shkëmbimet e diskutueshme të tokës mes shtetit dhe një manastiri të pasur, deri te fondet e pensioneve. Edhe kreu i bllokut socialist evropian, Poul Rasmusen, ka kritikuar partinë Demokracia e Re. "Karamanlis dhe qeveria e tij po humbasin gjumin, sepse ajo që do të dalë nga vota e 7 qershorit është shumë e rëndësishme", tha ai. Partitë e vogla të opozitës ishin kritike të ashpra të deklaratave të Kryeministrit Kostas Karamanlis. Ata kërkuan që votuesit t’i kthejnë shpinën dy partive kryesore, dhe t'i japin Greqisë shansin e një ndryshimi rrënjësor.
Skandalet qeveritare
Përgjimi - shkurt 2006:
Në mars 2006, qeveria zbuloi se më shumë se 100 vetë, duke përfshirë Kryeministrin Kostas Karamanlis, ishin përgjuar në celular në kohën e Olimpiadës në Athinë në vitin 2004.
Bonot - mars 2007:
Skandali i bonove dhe pensioneve në një shumë prej 280 milionë eurosh, e strukturuar prej 12-vitesh nga bonot e qeverisë solli shkarkimin e Ministrit të Punës, Savvas Tsitourides. Hetimi vazhdon.
Punëtorët indianë - dhjetor 2007:
Ministri i Punës, Maginas Vasilis dha dorëheqjen pasi shtypit grek zbuloi se ai kishte punësuar pa sigurime një familje indiane në shtëpinë e tij në fshat.
Siemens - Maj 2008:
Greqia po heton nëse grupi gjerman "Siemens" ka korruptuar zyrtarë për të fituar kontratën e sigurisë për Olimpiadën e vitit 2004. Siemens ka të paktën 1.3 miliardë euro me tarifa të dyshuara si bakshishe.
Seks e DVD - shkurt 2008:
Ish-Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Kristos Zahopoulos dha dorëheqjen e tij dhe u hodh nga kati i pestë, pasi një DVD që tregonte atë duke bërë seks me asistenten e tij u dërgua në zyrën e Kryeministrit, Kostas Karamanlis.
Skandali Vatopedi - shtator 2008
Ministri i Tregtisë detare, George Vulgarakis dha dorëheqjen mes kritikave në rritje brenda partisë së tij, "Demokracia e Re" mbi transaksionet pronësore, duke përfshirë një shkëmbim të tokës mes shtetit dhe të manastirit të pasur Vatopedi ku gruaja e tij ishte agjente shitje. Ministri i financave anuloi marrëveshjen dhe një hetim gjyqësor tregoi se ishin të përfshirë edhe disa zëvendës ministra në këtë aferë, për të cilën mediat thonë se u ka kushtuar taksapaguesve mbi 100 milionë euro. Ministri i Shtetit, Theodore Rusopulos dha dorëheqjen për rolin e tij të dyshuar. Hetimi u ndal në dhjetor.
Kontratat e anijeve - prill 2009:
Nënkryetari i partisë në pushtet Aristoteli Pavlides u përfshi në një skandal anijesh, që u bë publik nga një pronar anijesh, i cili dëshmoi se ndihmësi i ministrit i kërkoi ryshfet për t'i dhënë një kontratë për rrugët e trageteve të ishujve në Egje.