Mesdheu në ngjyrat e Taçit
"Bisedë me tingujt e Mesdheut" titullohet ekspozita që piktori Stefan Taçi hap nesër në "Art Galeri Kledio", në Tiranë. Përzgjedhja e Mesdheut si motivi i punimeve të tij nuk ka qenë rastësore për autorin. Sipas piktorit, dielli i Mesdheut "ka formuar jo vetëm lëkurën, por edhe shpirtin tonë. Të gjithë ne, pavarësisht dëshirës, jemi nga pak mesdhetarë, në mos shumë. Ne jemi pjesë e atij qytetërimi të madh që lindi në Mesdhe". Për realizimin e kësaj ekspozite me 25 punime, Taçi ka filluar të punojë prej kohësh. Ai thotë se, "frymën dhe dritën e Mesdheut jam munduar ta bëj pjesë të kërkimit e dialogut artistik që vite më parë, sepse kam kohë që ‘bisedoj’ me kompozimet e mia që mbështeten në ndjesitë që marr nga kjo kulturë, nga historia dhe mitet e saj, nga trashëgimia e madhe e artit apo dhe problematika bashkëkohore që ka kjo ‘perandori’ nga lindi dhe vetë Europa". Piktori Taçi ka realizuar edhe një sërë ekspozitash të tjera personale, si "O sa mirë me qenë njeri" dhe "Njeriu", të paraqitura në "Art Galeri Kledio", në Tiranë.