E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës-Kukës, Berisha si Ajzenaueri”

 

RIDVAN DIBRA

Kongresmeni amerikan Eliot Engel e krahason kryeministrin Sali Berisha me presidentin Ajzenauer, për sa i përket investimeve në infrastrukturën rrugore. Engel, së bashku me një grup shqiptaro-amerikanësh vizituan rrugën që po ndërtohet në segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. “Jam i befasuar, sepse kur mendon se sa shumë punë duhet për të bërë diçka si ky projekt të mundur, punëtorët, materialet, logjistika e përdorur, tregon se kjo është një sipërmarrje e jashtëzakonshme dhe përfshin një vizion për të ardhmen. Mbaj mend nga fëmijëria ime në Nju Jork, gjatë kohës së Presidentit Eisenhouer (Ajzenauer), ai vendosi të ndërtonte një sistem kombëtar autostradash, me rrugë që do të lidhnin çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Ky projekt më kujton pikërisht këtë. Kjo është me të vërtetë një rrugë që do e çojë Shqipërinë drejt së ardhmes. Kur shoh këta njerëz që gërmojnë në këtë tunel, gjithë këtë logjistikë. Është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ndihem i privilegjuar dhe me fat që jam këtu”, deklaroi Engel. Kongresmeni amerikan ka udhëtuar me helikopter nga ku ka parë të gjithë projektin që shtrihet nëpërmjet maleve. “Pamë gjëra dhe vende që nuk mund t’i imagjinonim dot. Pamë gjithçka, punën që po bëhet në këto male dhe është e pabesueshme. Mendoj se ky projekt është i mrekullueshëm dhe tregon për një vizion të jashtëzakonshëm. Kur kryeministri po më tregonte për këtë, nuk e imagjinoja dot se sa bukur do të ishte. Dua të uroj popullin e Shqipërisë, Kryeministrin dhe zyrtarët e qeverisë, sepse mendoj se ky projekt është shumë i mirë dhe do t’i sjellë Shqipërisë një të ardhme, me të vërtetë. Nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon”, tha për mediat Engel. Sipas tij, ky projekt e ka vënë Shqipërinë në top listën e vendeve të rajonit, për pozicionin e rëndësishëm strategjik që i jep kjo rrugë. “Falënderoj popullin shqiptar dhe kryeministrin Berisha që po e bëjnë të mundshëm këtë investim, pavarësisht kostos që ka”, theksoi ai. Dje politikani i njohur vizitoi edhe qytetin e Shkodrës, ku është takuar me përfaqësuesit e pushtetit vendor në ambientet e prefekturës së qarkut. Prefekti Maxhid Cungu i ka shprehur mirënjohjen ndaj tij dhe shtetit amerikan për mbështetjen në dy procese historike për shqiptarët, hyrjen në NATO dhe pavarësinë e Kosovës, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur pa mëdyshje dhe vetë Engel, i cili ka lobuar në kongres për çështjen shqiptare. Ai është shprehur se, “kjo është vizita ime e dytë në Shkodër dhe vërej me kënaqësi që ka zhvillime pozitive”. “Unë kam ardhur në Shqipëri për herë të parë para 16 viteve, në vitin 1993, duke qenë ndoshta i pari politikan amerikan që vizitonte Shqipërinë e erës postkomuniste. Në atë kohë thosha që SHBA do të mbështesin fuqimisht Shqipërinë për hyrjen në NATO, sikurse kam deklaruar që vendi ynë do të japë një ndihmë të madhe në pavarësimin e Kosovës. Tani pas kaq kohësh rrëfej se dhe unë vetë nuk isha shumë i bindur për atë që kam deklaruar. Sot pas 16 vitesh vërej se kisha të drejtë dhe gjithçka e realizuar si hyrja e Shqipërisë ashtu dhe pavarësia e Kosovës ishin procese të pashmangshme”, deklaroi Engel. Ndërsa ka dhënë vlerësime maksimale për mikpritjen shqiptare.

Berisha: Opozita bën vetëm skupe trilluese
Kryeministri Sali Berisha preu shiritin e punimeve të segmentit rrugor që lidh Dumrenë me Kuçovën, Beratin dhe Tiranën. Në fjalën e tij, shefi i Ekzekutivit ka premtuar më shumë investime në infrastrukturën rrugore. “Në mandatin e dytë do të përfundojë asfaltimi i rrugëve në Shqipëri. Çdo fshat do ta lidhim me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara. Por në mandatin e dytë, ne, me investimet tona, do të bëjmë që çdo shtëpi të ketë ujin e pijshëm brenda në shtëpi. Ky është zotimi ynë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shqipërisë”, deklaroi Berisha. Ndërsa nuk ka ngurruar të sulmojë opozitën për qëndrimin që ajo ka mbajtur ndaj investimeve dhe reformave të qeverisë aktuale. “Ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, ata bërtasin varfëri, varfëri, ata përhapin lajme se ne nuk do të anëtarësohemi, organizojnë mitingje për të protestuar. Ne aplikojmë për vend kandidat në BE dhe për vizat, ata bërtasin përse aplikoni”, tha kryeministri. Ai shtoi se, “opozita e tyre është opozitë e skupeve, e trillimeve”. “Kryeministri i vendit mik, Greqisë, ku punojnë rreth 1 milion shqiptarë, erdhi për një vizitë miqësore në Shqipëri. Në mënyrën më të përsëritur ai shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre në Greqi dhe natyrisht unë, në emrin tuaj, shpreha mirënjohjen time më të thellë për punën dhe ndihmën e tyre për Shqipërinë. Por opozita vazhdoi të thoshte: Berisha i dha ujërat shqiptare. Këto ishin trillime primitive, që edhe nxënësi i klasës së pestë, me kompas, është në gjendje të provojë se ato janë ndarë në bazë të ligjit dhe se nuk ka pasur asnjë milimetër devijim. Kjo është një gjë e turpshme”. Sipas tij e turpshme është edhe sulmi që i opozita i bëri figurës së Skënderbeut. “Jo më kot sulmohej Skënderbeu dhe nga njerëz të cilët vetëm pak vite më parë deklaronin lart e poshtë rrugëve të Europës se e kanë për turp të quhen shqiptarë. Kjo është e vërteta. Ata mbanin në shtëpi bunkerë kartoni për të thënë se shqiptarët janë si ky bunker”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›