Çefa: Kompensimi i ish-pronarëve, pas zgjedhjeve
BLEDAR HOTI
Fondi prej 600 milionë lekësh mund të shpërndahet për ish-pronarët vetëm pas zgjedhjeve të qershorit. Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, shpjegon për “Panorama” se fondi i akorduar nga ana e Qeverisë për vitin 2009 nuk mund të shpërndahet përpara votimeve të 28 qershorit. Sipas tij, procesi kërkon kohë dhe pas mbylljes së afatit 30-ditor të procedurave të depozitimit të kërkesave ky institucion ka 3 muaj kohë për të realizuar shpërndarjen e fondit. “Ne do të synojmë që brenda këtij afati tremujor të arrijmë të shpallim fituesit dhe të shpërndajmë paratë”, thotë Çefa. Kreu i këtij institucioni bën të ditur se për thjeshtimin e procedurave është miratuar një formular i ri shtesë, mbi mënyrën e komunikimit ndërinstitucional ndërmjet AKKP-së dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive. Ndërsa për çështjen e kompensimit ish-pronarët që preken nga legalizimet, Çefa shprehet se ende nuk ka ndonjë kërkesë për t’u angazhuar në këtë proces.
Z.Çefa, Qeveria sapo ka marrë vendimin për ndarjen e fondit për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Si do të operojë AKKP-ja për shpërndarjen e këtij fondi?
Po, është e vërtetë, qeveria ka marrë një vendim të tillë në mbledhjen e fundit të datës 6 maj, “Për procedurat përkatëse për kompensimin në të holla për subjektet e shpronësuara”. Dua të theksoj se ky fond është 600 milionë lekë i vënë në dispozicion të AKKP-së nga qeveria. Menjëherë sapo ky vendim të marrë formën e prerë duke u botuar në Fletoren Zyrtare, AKKP-ja do të fillojë procedurën e shpalljes së datës së pranimit të kërkesave. Lajmërimi për nisjen e aplikimit të këtij procesi do të bëhet publik nëpërmjet medias dhe faqes sonë elektronike. Pranimi i kërkesave do të vazhdojë për një periudhë 30-ditore. Pas këtij limiti mbaron afati i pranimit të kërkesave të reja për këtë vit dhe fillon periudha tjetër e elaborimit, kërkimit dhe shqyrtimit të tyre.
Çfarë risie ka ky vendim në krahasim me ato të mëparshmet?
Në përgjithësi në pjesën dërrmuese të këtij vendimi janë po ato rregulla apo kritere që ishin edhe vitin e kaluar. Ka disa të reja të vogla, të cilat janë gjithmonë në favor të subjekteve të shpronësuara dhe janë bërë me tendencën dhe dashamirësinë për të thjeshtuar aty ku është e mundur procedurat në favor të subjekteve të shpronësuara dhe për të ulur ndjeshëm numrin e dokumentacionit që këto subjekte duhet të paraqesin, duke ngarkuar në këtë rast barrën e verifikimeve nga AKKP-ja dhe institucionet e tjera shtetërore.
Pra verifikimi i hartës do të bëhet nga institucioni juaj?
Sigurisht subjekti ka detyrimin që të sjellë vendimin bashkë me hartën. Nga ky moment e tutje, pas depozitimit të dokumentacionit, të gjitha verifikimet i përkasin administratës së AKKP-së.
Sipas jush kur mund të nisë procesi i shpërndarjes së këtij fondi? Mendoni se do të realizohet para apo pas muajit qershor?
Teknikisht nuk ka mundësi të shpërndahet përpara zgjedhjeve, për arsye se data e fillimit të aplikimit nga ana e subjekteve të shpronësuara fillon pesë ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të qeverisë dhe vazhdon për një periudhë 30-ditore. Pra automatikisht le të themi se vetëm periudha e administrimit të kërkesave mund të mbarojë diku nga gjysma e muajit qershor, ndoshta nga data 21 qershor dhe afati ligjor për shqyrtimin pastaj të të gjithë këtyre kërkesave për elaborimin e të dhënave është tremujore. Ne do të synojmë që brenda këtij afati tremujor të arrijmë të shpallim fituesit dhe të shpërndajmë paratë.
Po për ato subjekte që kanë konkurruar në vitin 2008 si do të veprohet?
Sigurisht vendimi i qeverisë ka parashikuar qartësisht klasifikimin e këtyre subjekteve që kanë aplikuar më përpara, sigurisht duke rifreskuar dokumentacionin e domosdoshëm në këtë rast, siç është prokura, pra tagri i përfaqësimit. Pra kërkesën në mënyrë që të shprehin vullnetin që edhe këtë vit kërkojnë nga administrata trajtimin e kërkesës së tyre, prokurën e përfaqësimit që duhet detyrimisht e rifreskuar, si dhe do të paraqesin, nëse kanë, në dëshminë e trashëgimisë të subjektit të shpronësuar.
Për sa i përket plotësimit të formularëve, si është procedura, a ka ndonjë dokument të ri që është shtuar në këtë proces?
Në përgjithësi janë dy formularë, tip i kërkesës dhe formulari i deklarimit, të cilët nuk kanë ndonjë ndryshim në substancë. Është shtuar edhe një modelar, i cili është për përpunim të brendshëm ndërmjet AKKP-së dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pikërisht ky formular është hartuar me qëllim që të thjeshtohen në maksimum procedurat e verifikimit. Pra letërkëmbimi ndërmjet institucioneve dhe shpresojmë se do të shkurtohet koha. Ne shpresojmë se do të jetë me shumë efikasitet ky modelar, për arsye sepse ka parashikuar se Zyra e Regjistrimit në prani të punonjësit të AKKP-së plotëson menjëherë të dhënat e formularit pa pasur nevojë për t’u zgjatur më pas për të dërguar shkresa me postë, ky afat do të ishte i zgjatur artificialisht.
Po për sa i përket procesit të legalizimeve, për ato zona ku preken subjektet e shpronësuara. A ka ndonjë proces kompensimi për këtë shtresë? Ky fond do të prekë edhe kategori apo do të jetë një fond tjetër?
Jo, ky është një fond i veçantë, i vënë në dispozicion nga qeveria vetëm për kompensimin në të holla të ish-pronarëve. Fondi tjetër akumulohet nga ALUIZNI dhe nuk ka lidhje me kompensimin financiar. Ai është fond tjetër dhe do t’i shpërndahet ish-pronarëve, prona ose trualli i të cilëve i zënë me ndërtime informale, subjekt i legalizimit nga ALUIZNI. Për modalitetet e shpërndarjes së tij, aktualisht nuk kam një informacion të detajuar. Por presim udhëzimin, do të jemi të gatshëm në çdo moment për të vepruar, nëse ne do të ngarkohemi si AKKP me shpërndarjen e tyre.
Formulari i ri ndërinstitucional
Në vendimin më të fundit të qeverisë është miratuar një formular i veçantë, ku i shërben rakordimit të punës ndërmjet Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Formulari ka titullin: “Modelar i konfirmimit të gjendjes juridike të pronës për kompensim”, që duhet të plotësohet nga zyrat rajonale të AKKP-ve dhe zyrave vendore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Ky formular që shërben për marrjen e verifikimit nga ZRVPP-të mbi gjendjen e pronësisë së subjektit të shpronësuar që aplikon për t’u kompensuar, për fondin prej 600 milionë lekësh të reja. Modelari përmban katër pika gjithsej që do të verifikojë vlefshmërinë e aktit të pronësisë që ish-pronari ka paraqitur fillimisht në AKKP për të aplikuar për kompensimin financiar të vitit 2009. Në pikën 1 është përcaktuar që zyra e Hipotekës të shprehet për vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës; në pikën 2 për verifikimin e gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur. Ndërsa në pikën 3, ZRVPP duhet të verifikojë nëse subjekti i shpronësuar apo trashëgimtari i tij ka regjistruar ushtrimin e së drejtës së parablerjes. Në pikën katërt duhet të verifikohet nëse subjekti i shpronësuar ka regjistruar pronë të përfituar me kthim nga vendimet e tjerë të ish-KKKP-ve, pranë ish-këshillave të rretheve të bashkive apo ZRKKP-ve në qarqe, në emër të tij.