E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Romani mbi historinë e Shpëtim Nazarkos

 

ALMA MILE

Ai nuk e kishte parë kurrë. Në shtëpinë e tij nuk flitej kurrë për atë njeri. Nuk dinte në i ngjante. Nuk dinte në ishte gjallë apo vdekur. Diçka ishte e sigurt, që ai kishte ndikuar forcërisht në jetën e tij. Dhe si të ndiqte gjurmët e këtij njeriu "misterioz", të këtij "gjyshi të tmerrshëm", edhe ai vetë krijoi një portret të pakapshëm, i tërhequr nga bota, gjithnjë nën hijen e paraardhësit që nuk e njohu. "Gjyshi i tmerrshëm" është romani më i fundit i shkrimtarit Preç Zogaj, për të cilin është mbështetur në një ngjarje reale, në atë të mikut të tij gazetar, Shpëtim Nazarko. Në këtë prag zgjedhjesh, Zogaj preferon të vijë te publiku, jo me referata të gjata politike, por me letërsi. Ndërsa politika zien nga debatet, ai preferon të shkruajë poezi e të botojë romane. Sapo ka dalë në treg, nga shtëpia botuese "Dita 2000" dhe vjen te lexuesi si një kumt, që lidh të shkuarën me të tashmen. Romani, i cili ka doza të forta ironie, nis në ditët tona. Madje zë fill përpara një ekrani televizori, ku shfaqet një program i suksesshëm i kohëve të fundit, që vihet në kërkim  të personave të humbur prej vitesh. Është portreti i Artur Muzakës, i një të riu të zhdukur në rrethana të panjohura, që e bën rrëfimtarin të kthehet pas në kohë, në vitet e diktaturës, kur takoi për herë të parë Arturin, djalin imcak, jabanxhi, me të cilin do ta lidhte një miqësi e çuditshme. Një miqësi që nuk e pengoi as biografia "e keqe" e Arturit. Thuhej se dikur gjyshi i tij ishte arratisur drejt Amerikës e si rrjedhojë, ai ishte armik i vendit dhe po kështu edhe pasardhësit e tij. Ky veprim i gjyshit do ndikonte në jetën e Arturit, por në një farë mënyre edhe të rrëfimtarit, i cili shihte shëmbëlltyrën e vet te ky djalë. Pas rënies së diktaturës, të tjera të dhëna dolën mbi gjyshin e "tmerrshëm".  Romani "Gjyshi i tmerrshëm" vjen jo shumë larg në kohë nga vëllimi me poezi "Gjallë unë pashë", me të cilin Zogaj meritoi çmimin "Lasgush Poradeci".
Si lindi romani "Gjyshi i tmerrshëm", keni ndonjë shtysë personale apo reale?
Romanin e kam shkruar vitin e kaluar, por në formën e një synopsi këtë e kam menduar njëzet apo njëzet e një vjet më parë. Në atë kohë punoja në gazetën "Zëri i rinisë". Kisha mik Shpëtim Nazarkon, talenti i spikatur i të cilit i ishte flijuar në  kulmin e lulëzimit gjyshit të tij të arratisur në vitin 1946. E gjithë kjo ishte si një legjendë, sepse askush nuk e dinte me saktësi se ku kishte përfunduar dhe çfarë bënte Gjyshi.  Por fantazma e tij ishte e pranishme dhe kishte përcaktuar e përcaktonte fatin e pasardhësve. Në vitin 1989, pasi mora një  autorizim nga kryeredaktori i gazetës ku punoja, Remzi  Lani, u nisëm me Shpëtimin drejt Ersekës, në një mision  të rrallë për kohën: të mblidhnim të dhëna për gjyshin e tij të arratisur- kush kishte qenë në rini, pse ishte arratisur e tjerë e tjerë- të dhëna që mund të na shërbenin për të zbutur sadopak përshtypjen e gjyshit armik. Disa nga përjetimet e asaj ekspedite i kam pasqyruar në pjesën e tretë të romanit "Gjyshi i tmerrshëm". Natyrisht, romani merr vetëm shtytjen nga një ngjarje reale, por  më tej ai është një  krijim i mirëfilltë  ku vendet, personazhet apo situatat e imagjinuara dominojnë. 
Ka pasur në jetën tuaj ndonjë "gjysh të tmerrshëm" apo ndonjë tjetër që të ketë ndikuar fort në jetën tuaj gjatë viteve të diktaturës?
Ka pasur. Fati i Nazarkos ka qenë edhe fati im. Prandaj e ndjeja. Por sfondi është mbarëshoqëror. Në një mënyrë a tjetër ka patur në jetën e secilit; vetë absurdi i shoqërisë totalitare është i tillë. Veçse unë, duke shkruar një subjekt dhe duke evokuar një kohë të caktuar, jam përpjekur të shkruaj një libër artistik, që flet  nëpërmjet groteskut.
Arturi është një personazh "fluturak"; ç'është në të vërtetë Artur Muzaka?
Arturi është miku im, është i ngjashmi im, është dyzimi im, jam unë, por jo plotësisht. Jam më pak se Arturi në disa aspekte dhe më shumë se ai në aspekte të tjera. Arturi ngjan më shumë me miqtë e mi se sa me mua, por askush nuk mund të njohë plotësisht vetveten tek ai. Ky është një personazh i krijuar me "pjesë" nga tipa jetësorë. Në thelb, ai është personazhi që mundet prej fatit, por nuk flijohet, nuk tretet në të.
 "Gjyshi i tmerrshëm" vjen pas librit me poezi "Gjallë unë pashë", që mori çmimin vjetor "Lasgush Poradeci". Çfarë do të vijojë më tej në krijimtarinë tuaj?
Kam konturuar një vëllim të ri poetik me poezi të reja të shkruara gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit. Shpresoj të kem kohë për të punuar me të gjatë verës, për ta botuar nga tetori apo nëntori.
Me gjithë angazhimin tuaj  në politikë, nuk keni rreshtur së shkruari, si e gjeni frymëzimin?
Poezia, siç e kam thënë shpesh, shkruhet vetë, në kuptimin që ajo kur është apo kur lind, qëndron mbi angazhimet e çfarë janë. Madje, edhe mbi kohën. Për ta thënë më qartë: poezia e bën vetë kohën. Kurse me prozën, së paku për rastin tim, ndodh ndryshe: kur dua të shkruaj një libër në prozë-roman apo ese politike - kam nevojë për shkëputje, për izolim. Këtë e bëj zakonisht gjatë verës. Por në këtë pikë u pagua haraç angazhimeve politike dhe publike: shkruaj pak shpejt.
Cila është pritshmëria juaj për librin e fundit? Çfarë doni që lexuesi të marrë prej tij?
Në radhë të parë shijen e të shkruarit mirë, shijen e tekstit letrar, shijen e fjalisë së bukur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›