Dule: “Hapja e kutive, kushti kryesor për nxjerrjen e vendit nga kriza”
Kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi dje se hapja e kutive dhe hetimi i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit është kushti i vetëm për zgjidhjen e krizës politike. “Kërkohet zgjidhje, e cila do ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik, do ta nxjerrë vendin nga rrënimi i vazhdueshëm ekonomik”, - u shpreh Dule.
Kreu i PBDNJ-së i ftoi shqiptarët t’i bashkohen protestës së opozitës më 30 prill. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dëshiron edhe ajo nga ana e vet të ftojë ditën e premte të gjithë qytetarët. Është manifestimi më fisnik, motivi i tij përbën thelbin e shoqërive të civilizuara. Është motivi i votës së lirë, i transparencës, i demokracisë”, - theksoi Dule.
Leskaj: “Më 30 prill nuk do të ketë protestë të dhunshme”
Partia Socialiste deklaron se në protestën e 30 prillit nuk do të ketë shfaqje të dhunshme. Deputetja Valentina Leskaj, në një prononcim për mediat, thekson se socialistët e kanë dëshmuar një gjë të tillë. "Për një gjë duhet të jeni të sigurt, që socialistët kanë dhënë prova që janë njerëz të qytetërimit e të rezistencës paqësore. Pa dyshim do të protestojmë fort, pa dyshim që do të jenë të qëndrueshëm, po të jeni të sigurt se socialistët nuk e njohin dhunën", - tha Leskaj. Sikurse shumë përfaqësues të PS-së, arsyet për të protestuar shqiptarët janë të forta, siç është hapja e kutive, gjendja ekonomike dhe varfëria e shqiptarëve.
29 Prill 2010