Qeveria shkarkon kreun e Doganave, në vend të Pemës vjen Gjymishka
Brenda një viti ndërrohet drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Pa ndonjë motivacion (të paktën publik) në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar propozimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, për shkarkimin nga detyra të kreut të Doganave, Endri Pema. Po dje qeveria emëroi drejtorin e ri, Flamur Gjymishka, i cili deri më dje mbante postin e zëvendësdrejtorit të Doganave. Posti i kreut të Doganave është një prej posteve që ka njohur më shumë ndryshime gjatë viteve të fundit. Ish-drejtori Pema, u emërua në këtë detyrë më 17 prill 2009 dhe qëndroi në këtë post për rreth një vit. Ai zëvendësoi ish-drejtorin e Përgjithshëm, Përparim Dervishi, i cili u shkarkua për mos plotësim të planit në vjeljen e të ardhurave dhe punë të dobët. Por Dervishi ishte edhe më jetëgjati në postin e kreut të DPD-së. Administrata Doganore nuk ka mundur të realizojë objektivin e vendosur nga MF-ja për tremujorin e parë 2010. Në total, për periudhën janar-mars, sipas MF-së, ka mangësi me rreth 5 miliardë e 482 milionë lekë (54 milionë dollarë), ose realizim në masën 93 për qind. Por MF-ja ka sqaruar se shifrat kanë qenë operative, pra jozyrtare. Konkretisht, nga Doganat, niveli i arkëtimeve është rreth 49 miliardë lekë, nga 52.5 miliardë që ishte plani i qeverisë, me një realizimin në nivelin e 93.6 për qind. Pothuajse në të gjitha llojet e taksave, si tremujor të mbledhura së bashku, shikohet rënie e arkëtimit. Për të gjithë vitin 2010, qeveria i ka vendosur vetes detyrën për të mbledhur rreth 360 miliardë lekë (ende nuk është aprovuar plani i rishikimit të buxhetit që i pakëson të ardhurat me 30 miliardë lekë), ndërsa deri tani si tremujor është realizuar vetëm 20 për qind. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksa që identifikon aktivitetin ekonomik të një vendi dhe treguesin e performancës, paraqet uljen më të madhe të arkëtimeve. Gjithnjë si tremujor, TVSH-ja nga doganat dhe tatimet rezulton me minus 1.6 miliardë lekë, ose me realizim 93.8 për qind, krahasuar me planin e qeverisë, kurse me vitin 2009, del me rritje rreth 1 miliard lekë. Duke bërë krahasime me vitin e kaluar, periudha janar-mars rezulton me rritje në totalin e të ardhurave, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa doganat dhe tatimet, me 1.2 miliardë lekë.
29 Prill 2010