E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: PBDNJ po vlerëson të gjitha mundësitë

05-04-2013 / Gazeta 55

Kreu i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut

Në garën për të fuqizuar koalicionet parazgjedhore dhe maksimalizuar çdo votë, Partia Demokratike dhe ajo socialiste vazhdojnë kontaktet dhe ftesat ndaj Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë kryetari i kësaj force politike, Vangjel Dule, i cili ndërkohë thekon se PBDNJ është ende larg marrjes së një vendimi. 
Dule shprehet se ka ende kohë deri në afatet ligjore për tu përcaktuar në një koalicion dhe se PBDNJ po vlerëson të gjitha mundësitë.
"PBDNJ është ende larg vendimmarrjes së vet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndonëse koha fizike duket se është shumë e shkurtër, politikisht është shumë e gjatë deri në përmbylljen e afateve kohore për koalicionet", tha Dule.
Duke u ndalur tek mundësia e krijimit të një poli të tretë, apo të  qendrës, Vangjel Dule thekson se kjo mbetet një ide mjaft interesante e cila do të thyente bipolaritetin e politikës shqiptare, por sipas tij një nismë e tillë kërkon politikanë kurajoz, dhe këta politikanë mungojnë.
"Poli i tretë kërkon politikanë me kurajo, me vizion, larg egoizmave dhe mikropolitikave. Mesa duket nuk e kemi ende këtë maturi në spektrin politik të vendit, fatkeqësisht", tha Dule.
Vangjel Dule kërkoi gjithashtu miratimin sa më parë të tre ligjeve që I hapin rrugën integrimit duke u shprehur se kjo do të ishte e vetmja mundësi që PBDNJ të bashkonte votën me Partinë Demokratike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›