Thoma Miço: Koalicioni me PS, vendim personal i Dules
Z. Miço, si i vlerësoni punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së?
Kongresi i sotëm ishte thjesht një shou, ishte një kongres i quajtur i jashtëzakonshëm për të analizuar situatën paszgjedhore dhe patjetër edhe rezultatin zgjedhor shumë të ulët të kësaj partie e ku pritej me ndjenjë kritike dhe autorike të analizohej humbja në këto zgjedhje. Përveç deklaratës, z. Dule, i cili pranon mosarritjen e objektivave elektoralë, ky kongres nuk analizoi shkaqet e humbjes, thjesht ndërroi në momentin e fundit edhe rendin e ditës dhe përfundoi në një kongres zgjedhor, ku u zgjodhën edhe drejtuesit e partisë për të riafirmuar pikërisht shkaktarin kryesor të humbjes së 28 qershorit. Ky kongres është karakterizuar si telekongres. Një kongres që s‘kishte delegatë, nuk kishte ftesa, që nuk kishte fletë votimi, rend dite, që kishte, do të thosha, një organizim të një kongresi statutor. Telekongres, sepse pothuajse pjesa më e madhe e delegatëve të ashtuquajtur, ose njerëzit që ishin në atë kongres, ishin ftuar përmes telefonit dhe një sms nga sekretaria e z. Dule. Pra, ky telekongres i plotësoi kërkesat e z. Dule, kishte një mbushje me njerëz të çfarëdoshëm nga rrethinat e Tiranës, ku mungonin themeluesit e partisë, ku mungonin pothuajse 70% e të zgjedhurve lokalë, ku mungonin më shumë se gjysma e anëtarëve të KPD-së dhe ku binte patjetër në sy mungesa e ish-deputetëve nga 1992-2009. Pra, një kongres që përçonte detyrën e zellshme të z. Dule, se pavarësisht humbjes ai është i vetmi fitues dhe sot imponoi sallën të thirrur prej tij, që të vihej në drejtim të partisë, me qëllim që të varrosë një herë e përgjithmonë imazhin e PBDNJ-së.
Si i komentoni deklaratat dhe akuzat e z. Dule në adresë të PD-së për krijimin e strukturave paralele?
Kjo akuzë nuk është aspak e vërtetë, për arsye se z. Dule e di fare mirë si kryetari i Partisë se ne jemi përplasur në të gjitha testimet elektorale, si për pushtetin vendor dhe atë qendror me Partinë Socialiste, si një parti konsistente në zonat ku kishim edhe ne elektoratin tonë dhe pothuajse "grindja elektorale" ishte mes nesh, ku PS-ja na rrezikonte mjaft. PD-ja nuk ishte parti agresive, nuk luftoi asnjëherë me objektiva konkretë për të konkurruar forcën tonë ose për të rrezikuar forcën tonë. Në këtë aspekt, PBDNJ-ja pati në radhët e veta shumë eksponentë që vinin nga e majta, prandaj edhe z. Dule në zgjedhjet e 28 qershorit i imponuar dhe prej këtyre njerëzve të ardhur në partinë tonë, të dërguar në forma të ndryshme nga liderët e herëpashershëm të PS-së, arritën të bindin z. Dule. Në këtë aspekt unë i hedh poshtë akuzat e z. Dule se pati diversion nga PD-ja. PD-ja ka zbritur bashkë me PBDNJ-në në zgjedhjet lokale, përmend këtu Bashkinë e Himarës, e cila u mor në bashkëpunim me PD-në. Ishte një parti shumë luajale edhe në koalicionin që kishim ndërtuar në 2005-n dhe në 2009-n. Z. Dule justifikoi humbjen e tij, duke pasur parasysh se bëri një koalicion të gabuar. Do thosha që çdo koalicion parazgjedhor nuk është në parimin tonë, por, gjithsesi, z. Dule për të justifikuar humbjen do kërkojë shkaktarin, duke deklaruar se PD-ja e sulmoi në mënyrë agresive. Por mos harroni se edhe karshi PS-së ai drejtoi pak a shumë disa akuza, si nuk u mbrojtën votat, siç është rasti i z. Solis në Tiranë, që, sipas tij, i ka marrë votat. Pra, koalicioni që zgjodhi z. Dule, personalisht ai, ishte i dështuar dhe jo i dëshiruar.
Ju po thoni se më shumë diversion kundër PBDNJ-së ka bërë PS-ja se sa PD-ja?
Mendoj se po. Të akuzosh PD-në se bëri agresion ose luftoi ashpër tendencat e PBDNJ-së, kjo është absurditet.
Z. Dule ka renditur si një prej arsyeve që nuk bëri koalicion me PD-në faktin e përfshirjes së partisë së çamëve. Si e komentoni?
Ai nuk e ka thënë hapur këtë, por sot e shpalosi para televizioneve, se një nga arsyet që nuk mori pjesë në koalicionin e PD-së ishte prania e partisë çame. Unë nuk do të thosha që është ky shkaku, sepse i kujtoj z. Dule se edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal partia e çamëve ishe në koalicion. Ky fakt bie dhe ai nuk ka pse të aludojë se ky ishte shkaku. Shkaku i vërtetë ishte pazari i tij personal me kreun e PS-së.
F.Mejdini