E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: PD po kryen spastrime në administratë

Pas tronditjes që solli brenda Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut përfshirja në koalicionin e majtë dhe largimi nga kandidimi i prefektit Spiro Ksera, kreu i kësaj partie Vangjel Dule ka bërë publike në Gjirokastër listën e kandidatëve. Ata do të jenë përfaqësuesit e kësaj force politike në Qarkun e Gjirokastrës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në një takim të zhvilluar ditën e premte me përfaqësues të strukturave të PBDNJ-së dhe organizatës OMONIA në Gjirokastër, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, krahas prezantimit të listës dënoi largimin nga puna të disa drejtuesve të institucioneve përfaqësues të partisë së tij në Gjirokastër pas daljes nga koalicioni i djathtë. Në listën e paraqitur kryeson kandidatura e Vangjel Dules, e ndjekur nga Kristo Kamberi dhe Elektra Qiqi. Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, Vangjel Dule, ka denoncuar largimet nga puna, lëvizje që ai i ka cilësuar si një fushatë spastrimesh nga administrata shtetërore të përfaqësuesve të PBDNJ-së pas largimit të kësaj force politike nga koalicioni i djathtë. Gjithashtu, në takimin e Gjirokastrës Dule ka atakuar sërish prefektin Spiro Ksera, i cili është edhe kandidati i dytë për deputet në listën e Partisë Demokratike për qarkun. Në axhendën e Dules, në këtë fillim fushate ishte edhe zëvendësimi i Spiro Kserës në postin e kryetarit të degës së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për Gjirokastrën, në vend të të cilit është komanduar Kristaq Lengo, i cili do të mbaje këtë funksion deri në zhvillimin e konferencës së jashtëzakonshme të degës së PBDNJ-së për Gjirokastrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›