Rama: Do të reformojmë sistemin tonë arsimor
Kreu i socialistëve, Edi Rama, tha dje në një takim në Tiranë se është i vetëdijshëm për cenimin e vazhdueshëm që u bëhet dy shtyllave kryesore që janë konkurrenca dhe merita. "Sot e gjithë ditët nuk kemi një sistem universitar që të garantojë konkurrencën, qoftë midis universiteteve, qoftë midis studentëve, qoftë midis pedagogëve dhe profesorëve e kështu me radhë dhe as që të garantojë meritën që t‘i japë secilit atë që meriton", u shpreh Rama. Ai theksoi domosdoshmërinë e konkurrencës dhe meritës, jo vetëm mes studentëve, por në çdo hallkë të sistemit arsimor. "Ne kemi nevojë të japim arsimin e detyrueshëm të gjithëve. Ne kemi nevojë të çojmë drejt arsimit të mesëm të gjithë, por kemi nevojë që t‘u tregojmë të gjithëve se rruga për të shkuar më tej është një rrugë e konkurrencës dhe e meritës", u shpreh ai. Ndërkohë që ata që nuk shkojnë dot më tej nuk kanë pse t‘i hedhin tutje investimet e prindërve, vijoi Rama, por duhen orientuar drejt arsimit profesional për të marr një zanat. "Në të gjithë këtë sistem zinxhir sot dhe gjithë ditën mungon sensi i orientimit. Nuk ka asnjë pikë referimi për prindërit dhe për nxënësit. Ka vetëm fjalë pas fjale, rast pas rasti, mundësi pas mundësie, një çorganizim të organizuar nga vetë nevoja e njerëzve për të marrë arsim. Kjo duhet të ndryshojë", këmbënguli kreu i socialistëve. Edi Rama premtoi se çdo vendim që do të ndërmarrë në qeverisjen e pas 28 qershorit do ta bëjë në konsultim me grupet e interesit, edhe në fushën e arsimit privat apo publik.
"Kur unë them që ne duam të bashkëqeverisim qoftë fshatin, qoftë sistemin shëndetësor apo qoftë konkretisht sistemin tonë arsimor, unë nënkuptoj që i kemi të gjitha mundësitë që të mos humbasim tjetër kohë të çmuar dhe mos të bëjmë gabime të përsëritura për shkak të mungesës së komunikimit dhe dialogut me botën tuaj", tha Rama.
"Kur unë them që ne duam të bashkëqeverisim qoftë fshatin, qoftë sistemin shëndetësor apo qoftë konkretisht sistemin tonë arsimor, unë nënkuptoj që i kemi të gjitha mundësitë që të mos humbasim tjetër kohë të çmuar dhe mos të bëjmë gabime të përsëritura për shkak të mungesës së komunikimit dhe dialogut me botën tuaj", tha Rama.