E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch, policisë: Garantoni procesin zgjedhor

Dje, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë u zhvillua një takim ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi; ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch; me efektivat e policisë së Qarkut Tiranë, që do të marrin pjesë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pohoi se prej disa kohësh ka nisur trajnimi i 5000 efektiva të policisë në të gjithë vendin, të cilët kanë një rol të caktuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. "Ky proces trajnimi, ku janë përfshirë të gjithë efektivat që do të angazhohen në zgjedhjet e 28 qershorit, po zhvillohet nën vëzhgimin e misioneve ndërkombëtare PAMECA, ICITAP, ODIHR, OSBE, si dhe të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit", tha Prençi. Ambasadori Robert Bosch e cilësoi të rëndësishëm dhe tejet vendimtar rolin e policisë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke e vlerësuar të suksesshëm rolin e policisë në zgjedhjet vendore të 2007-ës, ambasadori Bosch theksoi se "sipas raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, roli i policisë në këto zgjedhje ishte profesional gjatë gjithë procesit zgjedhor". Gjithashtu, Bosch tha se në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, ky raport shprehu se Policia e Shtetit, në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk ndërhyri gjatë procesit zgjedhor. "Ndaj zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë sërish të rëndësishme për procesin në tërësi, për ambiciet e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, si dhe për ambiciet e vetë popullit shqiptar", theksoi Bosch. Në pajtim me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, tha ai, unë shpresoj shumë dhe pres që klasa politike, dhe ata që do të ndihmojnë në administrimin e zgjedhjeve, si dhe të gjithë ju, përfshirë edhe mediat, do të sigurojnë që këto zgjedhje të jenë më të mira nga ato të zhvilluara në vend, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›