E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu firmos te Berisha, merr edhe dy zv.ministra

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nënshkroi dje marrëveshjen e koalicionit bashkëqeverisës me kryetarin e Partisë Republikane. Sipas kësaj marrëveshjeje, PR ka siguruar postin e ministrit të Mjedisit, të cilin do ta mbajë kryetari Fatmir Mediu, si dhe dy zv/ministra. Dy kryetarët e partive folën për një bashkëpunim afatgjatë duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme vendore. "PR ka dhënë një kontribut të pamohueshëm, shumë të rëndësishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, jam i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë ne BE, është qëllimi i përbashkët i dy forcave tona politike, ndaj dhe kjo qeveri quhet qeveri e integrimit europian të Shqipërisë", tha Berisha. Sipas tij, Partia Republikane në zgjedhjet e 28 qershorit kandidoi brenda koalicionit duke krijuar një vlerë jo vetëm për PR-në, por dhe për PD dhe partitë e tjera aleate. "Ne nënshkruam një marrëveshje për të qenë luajalë me njëri-tjetrin dhe i qëndruam luajalë kësaj marrëdhënieje ashtu siç i qëndrojmë dhe kësaj marrëveshjeje që nënshkruam sot me Kryeministrin Berisha", u shpreh Mediu. Ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, përfaqësuese e PR-së në kabinet theksoi dje se "nuk më kanë lajmëruar në mbledhjen e kryesisë së PR-së, por po të isha aty do të kisha votuar për Fatmir Mediun". Republikanët do të përfaqësohen në qeverinë e re përmes kryetarit të tyre, Fatmir Mediu. Në mbledhjen e zhvilluar të premten në mbrëmje, Kryesia e Partisë Republikane vendosi të pranojë ftesën e Berishës për drejtimin e Ministrisë së Mjedisit. Negociatat për përfaqësimin në nivele të tjera të PR-së në qeveri do vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme. Vetë kreu i republikanëve, Mediu, zhvilloi paraditen e të premtes një takim me liderin demokrat, Berisha, takim në të cilin i është bërë edhe ftesa për pjesëmarrje në qeveri. PR, një nga aleatët më të ngushtë të PD-së, në zgjedhjet e 28 qershorit mundi të sigurojë një mandat deputeti për Kuvendin e ardhshëm. Mediu do të jetë ministri i ri i Mjedisit në qeverinë e re të koalicionit fitues pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryesia e PR e votoi kandidaturën e Mediut me unanimitet të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›