E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule kërkon policë minoritarë në Himarë

Gjirokastër, 15 gusht - Pas ngjarjes së rëndë në Himarë, ka ardhur sot reagimi i kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili dënoi vrasjen e 35 vjeçarit Aristotel Guma, ndërsa kërkoi ristrukturim të policisë në qytetin jugor, përkatësisht vendosje edhe të policëve minoritarë, transmeton BallkanWeb.
Përmes një deklarate nga qyteti i Gjirokastrës, Dule bëri të ditur se të gjithë punonjësit minoritarë do të ndërpresin të hënën punën e tyre prej orës 10 deri në 11 të paradites, në shenjë proteste kundër, si e cilësoi ai, aksidentit të qëllimshëm në të cilin u vra minoritari 35 vjeçar.
Aristotel Gume u përplas për vdekje teksa udhëtonte me motorin e tij në vendin e quajtur “Avli”, në aksin që lidh qytetin e Himarës me Himarë-Fshat.
Sipas dëshmitareve, para vrasjes, djemtë janë fjalosur me njëri-tjetrin, kurse pas kësaj,  sipas burimeve, të rinjve nuk u ka pëlqyer e folura në gjuhë greke nga drejtuesi i motorit.
Banorët e Himarës kanë reaguar ashpër ndaj kësaj ngjarje, duke e konsideruar aksidentin të qëllimshëm dhe sulm kundër minoritetit grek në Himarë. Ata bllokuan disa herë aksin nacional Vlorë-Sarandë, duke krijuar radhë të gjata automjetesh.
Policia e Vlorës ka bërë të mundur arrestimin e 7 personave të akuzuar për këtë ngjarje, duke shpallur në kërkim Ilir Mukën, drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin e 35-vjeçarit Aristotel Guma.
Sipas policisë, “Muka akuzohet për aksidentim me pasojë vdekjen”, ndërsa të arrestuarit e tjerë për “bashkëpunim në krim e dhënie ndihme për largim të autorit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›