E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule, kundër Ramës për paktin me Greqinë



Kur bëhet fjalë për çështje që prekin marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë, Vangjel Dule nuk mund të jetë i heshtur. Me partinë e tij, PBNDNJ, që përfaqëson në mënyrë të dukshme minoritetin grek në vendin tonë dhe nuk fsheh lidhjet me eksponentë të politikës fqinje, Dule nuk mund të pranojë qëndrimin që po mban Partia Socialiste ndaj marrëveshjes më të fundit Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë. Dule është drejt daljes përfundimtare nga koalicioni me PS-në dhe partitë e tjera të majta me të cilat u afrua para zgjedhjeve dhe duket se ky qëndrim i vuri kapakun kësaj aleance. Ai e akuzon kreun e PS-së, Edi Rama, se po e përdor këtë çështje për interesa të vogla politike që nuk i shërbejnë askujt. Pasi PS kishte dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për nxjerrjen antikushtetuese të kësaj marrëveshjeje, Dule e cilëson këtë hap të gabuar dhe të panevojshëm. “Është e drejta e gjithsecilit individ në demokraci, aq më tepër e formacioneve politike që të vihen në dijeni për zhvillimet, të bëhet transparenca. Por, kur kjo transparencë karakterizohet nga koniunkturaliteti, kur karakterizohet nga tendencioziteti dhe kërkohet në një kohë të dytë, atëherë vetë në parim prishet thelbi i transparencës. PBDNJ është e vlerësimit se Shqipëria është në të tjera kohë dhe se thirrja, revokimi i zërave të së shkuarës për t’i shërbyer interesave të së sotmes dhe të së ardhmes është një eksperiment i dështuar. Duhet me çdo kusht që marrëdhëniet e jashtme, marrëdhëniet me partnerët tanë t’i lëmë përtej përplasjes politike, aq më tepër mikropartiake të ditës që mbizotëron me tepricë në realitetet tona politike”, - u shpreh Dule duke folur për TV Alsat. Ndërkaq ai s’ka mohuar se kjo është një çështje që mund t’i japë fund aleancës mes partisë së tij dhe PS-së. “PBDNJ nuk është e martuar me aleanca. PBDNJ bëhet, lidhet dhe investohet në aleanca me objektiva të caktuara. Rrjedhimisht PBDNJ ka mendimin e vet, vlerësimin e vet dhe kriterin e vet të të ushtruarit politikë”, - thekson Dule për këtë çështje.

PS depozitoi kërkesën në Kushtetuese, Manjani: Rruga e gabuar

PS depozitoi dje në Gjykatën Kushtetuese ankimimin kundër marrëveshjes së kufijve detare me Greqinë. Ankimi i marrëveshjes u dorëzuar nga deputeti i PS-së Saimir Tahiri, i cili tha se “me anë të këtij ankimimi partitë formalizojnë vullnetin e tyre për t’i kërkuar shqyrtimin e pajtueshmërisë së kësaj kërkese me Gjykatën Kushtetuese”. Por, nga ana tjetër, duket se kjo çështje nuk e ka marrë asistencën teknike të nevojshme nga ekspertët ligjorë të partisë. Ylli Manjani, një nga ekspertët më të mirë që ka PS, ka dalë kundër kësaj kërkese, duke e cilësuar të gabuar rrugën e ndjekur nga partia e tij, pasi sipas tij, kjo është një çështje me karakter politik dhe kërkon debat politik. Ndërkaq, Tahiri theksoi se marrëveshjes i ka munguar transparenca si dhe është kontestuar gjerësisht, çka përbëjnë dhe dyshimet e arsyeshme për të kërkuar nga kjo gjykatë shqyrtimin e pajtueshmërisë së saj. Këtë çështje në gjykatë do ta mbrojë avokat Spartak Ngjela, ish-deputeti i PD-së. Në kërkesën që PS ka bërë dje publike për median, kërkohet verifikim paraprak i kësaj marrëveshjeje nëse është në përputhje me nenet e Kushtetutës që flasin për tërësinë territoriale të vendit dhe kërkohet “shpallja si në kundërshtim me Kushtetutën” e kësaj marrëveshjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›