E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule të mos guxojë të provokojë komunitetin çam!

21/12/2009  Shpëtim Idrizi i përgjigjet kreut të PBDNJ-së për akuzat e një dite më parë
Mundësia jonë të ngritur zërin të qenit pranë maxhorancës
Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ka polemizuar mjaft ashpër me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, lidhur më ekzistencën e çështjes së komunitetit çam. Gjatë një takimi të zhvilluar në Elbasan me anëtarë të partisë më të re shqiptare Idrizi ka paralajmëruar Dulen që të mos guxojë të provokojë këtë komunitet duke mohuar ekzistencën e tij në Shqipëri. “Unë e paralajmëroj zotin Dule që të heqë dorë nga këto provokime të ulëta. Të mos guxojë të provokojë minoritetin çam, ekzistencën e 300 mijë çamëve në Shqipëri. Le t’i lërë sentimentalizmat grekë përtej kufirit. Nëse ka diçka për të thënë, le të vijë në Parlament. Ajo që bëri Dulja, është një provokim mjaft i ulët dhe unë në emër të komunitetit çam e dënoj me forcë.” Deklaratës së Idrizit i është bashkuar edhe deputeti tjetër çam. Idrizi ka përsëritur se në themel të PDU-së është çështja çame. Ai tha se qëllimin e saj PDU-ja do ta realizojë në Parlament duke kërkuar prej tij dhe qeverisë që ta kenë në qendër të vëmendjes këtë komunitet. Kryetari PDU-së u shpreh gjithashtu se ndihet mjaft mirë pas largimit nga PS-ja dhe se deri tani PDU-ja nuk ka në vëmendje aleancat, por çështjen came. “Kemi filluar të kemi aktivitet të dendur politik. Protestuam para komunitetit evropian. Hartuam një promemorie, që ia çuam ambasadës greke. Ata na e kthyen pa e prekur me një zjarr. Ne do ta futim në një zarf të tretë e do t’ua çojmë sërish, sepse nuk kemi gabuar adresë. Ata duhet të heqin komplekset për çështjen çame, duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe konventën e miqësisë. Dy partitë e mëdha janë me komplekse sa i përket çështjes çame. Ne krijuam PDU-në për të qenë gozhdë në Parlament. Nuk jemi në fazën e marrëveshjeve. Ne nuk jemi për pragmatizëm në Parlament, por për të qenë garant që çështja çame të mos harrohet nga qeveria e Parlamenti. Ne mund të jemi pranë maxhorancave. PDU-ja nuk është parti ideologjike. Mundësia për të qenë pranë mazhorancës të jep mundësinë për të arritur qëllimin,megjithatë ne nuk jemi në atë faze.” Emigrantët, pronat çame, përjetësimi i figurave, nënshtetësia etj. kanë qenë disa nga temat e trajtuara nga Shpëtim Idrizi. Takimi u përshëndet nga prifti ortodoks në oponencë me Janullatusin, a at Nikollë Marku. Deputeti Shpëtim Idrizi tha se at Marku do të mbajë meshën për përshpirtjen e të vrarëve çamë nga gjenocidi grek. Simpatizantët e PDU-së kanë qenë të shumtë në numër në hotelin “Skampa”. Zgjidhja e çështjes çame i ka bashkuar të gjithë në këtë takim të parë në degën e Elbasanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›