Shirat, bllokohen nga rrëshqitjet ura dhe rrugë
21/12/2009 Përmbytje anës lumenjve, shumë zona të banuara të bllokuara
GRAMSH- Reshjet e shumta të dy ditëve të fundit kanë krijuar situata mjaft të vështira për zona të tëra, që kanë hasur vështirësi në komunikimin me qytetin. Zona më e goditur nga dëmtimet konsiderohet Gramshi, ku dje në mëngjes aksi nacional konsiderohej i bllokuar për shkak të përroit, që kishte bllokuar me prurje një urë. Kështu, shumë mjete në aksin rrugor Gramsh–Elbasan në anë të lumit janë detyruar të kthehen mbrapsht për shkak të bllokimit të një ure përroi nga prurjet e shumta dhe të vazhdojnë përgjatë rrugës së vjetër. Qarkullimi në këtë aks do të vijojë derisa të stabilizohet situata në rrugën e bllokuar. Nënprefektura e Gramshit bën të ditur se janë marrë masa që të krijohen mundësi lëvizjeje për zonat e thella dhe janë vënë në punë të gjitha mjetet. Nënprefekti deklaroi se si rezultat i shirave të vazhdueshme të ditëve të fundit për gjendjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me qytetin e Gramshit dhe njëkohësisht rrugën nacionale që lidh Gramshin me qendrën e prefekturës së Elbasanit, tashmë janë vënë në lëvizje edhe mjetet për zhbllokimin dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes në këto segmente. Gjithashtu nënprefekti ka deklaruar se nga informacionet tona mësojmë se kemi bllokim të urës së Shushicës në afërsi të Banjës përgjatë rrugës nacionale. Edhe për këtë rast kalimi i mjeteve është devijuar në rrugën e vjetër që lidh Gramshin me Elbasanin. Gjithashtu ka rrëshqitje dheu në rrugën Gramsh–Poroçan në rrugën Kukur–Gramsh. Në përgjithësi rruga është e kalueshme. Në Rovie të Kukrit disa familje konsiderohen të bllokuara. Ndërkohë probleme për shkak të prurjeve, ku janë dëmtuar pritat, janë regjistruar në Muriqan e Shushicë. Po kështu bllokime të rrugëve ka pasur në zonat e thella të Librazhdit, ku ka rënë një sasi të konsiderueshme dëbore. Ndër rrugët nacionale të bllokuara prej dëborës konsiderohet ajo Stërblevë–Peshkopi, e cila nuk këshillohet të përdoret. Autoritet lokale bëjnë të ditur se do të vijojë monitorimi i këtyre rrugëve nga forcat përkatëse për të parandaluar krijimin e situatave problematike që mund të shkaktohen nga bllokimet e rrugëve si pasojë e motit të keq që ka prekur vendin tonë prej disa ditësh., kjo veçanërisht për zonat më të thella të cilat rrezikojnë nga izolimi.