E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet toka, bllokohet rruga nacionale

21/12/2009  Ballsh, kalim vetëm me një krah
BALLSH- Gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e shtunë, është bllokuar rruga nacionale Ballsh–Gjirokastër. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut Fier. Sipas këtyre burimeve, në vendin e quajtur "Kthesat e Povlës" ka rrëshqitur një masiv dheu, që ka bllokuar kalimin e automjeteve në këtë aks rrugor nacional. Bllokimi i lëvizjes së makinave ka vijuar për disa orë deri sa është bërë i mundur lirimi i rrugës nga masivi i dheut në njërin krah të rrugës. Pas marrjes së njoftimit automjete të rënda kanë shkuar në vend dhe kanë punuar për orë të tëra deri në mëngjesin e së shtunës. Pas disa orëve është bërë e mundur që të hapet kalimi vetëm në njërën anë të rrugës, ndërkohë po vazhdojnë punimet për hapjen e kalimit të dytë të saj. Burimet zyrtare të policisë pohuan se shumë shpejt kjo rrugë do të jetë e kalueshme për automjetet në të dyja anët e saj. Ndërkohë mësohet se gjatë rrëshqitjes së dherave nuk ka pasur në rrugë asnjë mjet në kalim, për pasojë nuk ka as dëme materiale e as dëme njerëzore. Mjetet zhbllokuese janë në vendngjarje për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të hapur krahun tjetër të rrugës. Gjithashtu gjatë reshjeve të ditëve të fundit është shtuar dhe frika për ndonjë rrëshqitje të dytë të dherave, e cila mund të ndodhë në segmente të caktuara të kësaj rruge. Në këtë zonë nuk janë të panjohura këto fenomene, prandaj banorët e zonës kanë kërkuar shpeshherë ndërhyrjen e strukturave lokale dhe qendrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›