E Diel, 1 Nëntor 2026

Dumitresku: “Bezanija e shet shtrenjtë lëkurën”

Ndihet i qetë pak orë para sfidës së dytë me Bezanijën (sot, ora 20:30) për turin e parë të Kupës UEFA. I bindur se shansi është më të. Gjysma e vështirë e misionit "Kupa UEFA" përfundoi me sukses në Beograd. Tani e pret gjysma e lehtë, ajo e Tiranës. Trajneri rumun i Besës, Silviu Dumitresku gjen kohë jo vetëm të shëtisë me ekipin e tij për një "tur njohës" në kryeqytet, por si një babaxhan i mirë është gatshëm të ulet e të bisedojë shtruar. "Nuk je i Kocos (Kokëdhimës), atëherë më pyet cfarë të duash"- thotë me pamjen e një njeriu që ka dhënë 1000 intervista ish-trajneri i Apolonisë. Zbulimi i Koco Kokëdhimës u largua pa e përfunduar as fazën e parë të sezonit 2006-2007 nga presidenti i klubit fierak, por ai i Besës, Nexhat Bizhdili, nuk nguroi aspak ta risillte në Shqipëri për t'i drejtuar kavajasit në aventurën 2007-2008 pas refuzimit të bankinës nga ana e Ilir Shulkut. "Unë kam besim të plotë se Silvio do të udhëheqë me sukses Besën jo vetëm në Kupën UEFA por dhe në kampionat". Rumunit, në fakt i eci në Beograd. 2-2. Dy gola që peshojnë shumë, pasi i japin atij përvec fitores ("Synimi kryesor", - këmbëngul ai), edhe dy opsione barazimesh 0-0 dhe 1-1, që do ta conin Besën për herë të parë në turin e dytë të Kupës UEFA. Mund të konsiderohet një meritë kolektive e grupit, por edhe një sfidë personale e tij. E një trajneri që u largua nga Shqipëria kokulur, por dje në Hotelin "Diplomati i ri" në kryeqytet Dumitresku ishte tepër kryelartë.

Dumitresku, jeni trajneri i parë i huaj i Besës në të gjithë historinë 85 vjecare të klubit dhe në premierën e tuaj të parë ndërkombëtare në Shqipëri jeni në prag edhe të një kualifikimi historik me klubin kavajas?
- Shpresoj qe kjo të koincidojë edhe me kualifikimin e turit të parë. Premisat janë të mbara për ta realizuar këtë objektiv.
Barazimi 2-2 në ndeshjen e parë në Beograd flet plotësisht për Besën. Sa të mëdha i shikoni mundësitë?
- Nuk mund të vlerësoj saktësisht në përqindje se sa të mëdhaja janë shanset tona, por jemi të bindur se ne kemi disa opsione më shumë se kundërshtari. Gjithsesi kualifikimi nuk vendoset në intervista, por në fushë.
Jeni shprehur se do të paraqisni një Besë me fytyrë sulmuese në takimin e "Qemal Stafës".
- Ajo që kam theksuar gjatë stërvitjeve me futbollistët, por edhe në bisedat e përditshme me lojtarët është fakti se ne nuk na lejohen gabime. Ne do të përballemi me në ekip të mirë që vjen nga shkolla serbe e futbollit. Kundërshtari vjen në Shqipëri për të bërë lojën e tij dhe kërkon të shesë lëkurën e tij sa më shtrenjtë.
Përpara ndeshjes së parë pohuat se nuk mund të jepnit një paragjykim pasi nuk e njihnit Bezanijën, tashmë që kundër tyre luajtët me sukses 90 minutat e parë, a i konstatuat pikat e dobëta të tyre?
(Qesh) U morra më shumë me pikat e forta të tyre, për të cilat kemi marrë tani masat. Pa dyshim edhe pikat e tyre më të dobëta mbi të cilat do të ndërtojmë edhe fizionominë dhe strategjinë e lojës sonë.
Dhe cilat janë ato?
- Nuk mund t'i komentoj.
Besa mund të jetë ekipi i vetëm shqiptar që mund të kualifikohet në turin e dytë në Kupën UEFA, kur dhe Tirana u largua pa e kaluar turin e parë në Ligën e Kampioneve. E ndjeni më shumë përgjegjësinë?
- Ky fakt më sjell vecse gëzim. Në rast se ekipi do të kualifikohet në radhë të parë është meritë e ekipit, merita e presidentit Bizhdili që financon për klubin, dhe më pas vjen radha ime për të pretenduar pjesë nga suksesi.
Pritet një tifozeri e madhe kavajase në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa".
- Shpresoj që tifozët të jenë nesër (sot) lojtari ynë i 12-të. Pres që të na inkurajojnë dhe të na mbështesin dhe në fund të ndeshjes të gëzojmë së bashku.
Kur Besa ka luajti për herë të fundit në "Qemal Stafa" fitoi për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Shpreson se dhe Dumitresku do të sjellë kualifikimin e parë.
- Fusha e "Qemal Stafës" i ka sjellë fat gjithmonë Besës dhe unë shpresoj se kjo do të vazhdojë.
Me një Besë të menduar si pjesëmarrëse në turin e dytë, cili do të ishte kundërshtari më i dëshiruar i Dumitreskut? Ndonjë ekipi rumun?
- Do të ishte shumë interesante për mua nëse kundërshtari i radhës do të ishte një ekip rumun, janë dy të tilla në turin e dytë, Rapidi i Bukureshtit dhe Cluj.
Kë do të dëshironte Dumitresku nga këto?
- Të dyja janë ekipe të mira.
Rumania ka bërë progres në futbollin e klubeve
- Po është e vërtetë ne marrim pjesë me disa ekipe në kompeticionet europiane. Në Ligën e Kampioneve janë dy të tilla. Steaua fitoi ndeshjen e parë të turit të dytë me ekipin polak Zaglebie Lubin. Otelul Galati është në turin e tretë të Kupës Intertoto. Në Rumani janë shumë hedhur shumë para, kanë ardhur lojtarë dhe trajnerë të huaj. Janë investuar në stadiume, ku pjesa më e madhe është me ndricim. Më pak fjalë ka një kujdes në rritje.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›