Dunga: “Kaka, më i mirë se Ronaldinjo”

"Kaka për momentin është më i miri, Ronaldinjo i ka të gjitha mundësitë për t'u rikthyer në majë, madje edhe Robinjo mund të jetë atje". Vlerësimi i përket trajnerit të Brazilit, Dunga. Tekniku i "Selecaos" bëhet promovues i plotë i xhevahirit të Milanit, pas fitimit të Ligës së Kampioneve, duke zbehur në mënyrë të hapur vlerat gjithmonë në rënie të yllit të Barcelonës.
"Te Ronaldinjo mungon pasi: defekt që është pasojë e mungesës së shpejtësisë për të kaluar kundërshtarët. Duhet të trajnohet më shumë", - shpjegon Dunga. "Kur ai është në gjendje të mirë fizike, askush nuk mund ta ndalojë atë", - citohet Dunga nga gazeta spanjolle "Marca", e cila i referohet intervistës së dhënë nga trajneri brazilian për "Catalunya Radio". Fansa të Barcelonës dhe media sportive e kanë kritikuar shpesh kohët e fundit Ronaldinjon për mbipeshën e tij dhe mungesën e shpeshtë në stërvitje gjatë sezonit. Gjithsesi, Ronaldinjo është golashënuesi më i mirë i Barcelonës me 20 gola. Kampionati spanjoll ka dhe dy javë deri në përfundim të tij dhe Barcelona ndodhet në vendin e dytë edhe pse ka pikë të barabarta me rivalët e tyre të përjetshëm, Realin e Madridit.
Sheva: "Nuk e ndërroj Celsin"
Shevcenko hodhi poshtë idenë e transferimit në Milano, edhe pse pas Milanit ishte Interi që kërkoi shërbimet e ukrainasit. Sheva pohoi në faqet e tabloidit anglez "Sun" se nuk do të largohej nga Premiership-i për të luajtur në Serinë A. "Do të qëndroj te Celsi. Jam i lumtur në Londër. Më duhet akoma dhe pak kohë dhe keni për të parë Shevcekon e vërtetë. Shpresoj se tashmë jam ambientuar me realitetin e ri".
Ze Roberto-Riberi, "bavarezë"
Bajerni i Munihut rimer brazilianin Ze Roberto, i cili militoi në radhët e bavarezëve nga viti 2002 deri në vitin 2006. Lajmin për transferimin e futbollistit 32-vjecar të Santosit e ka dhënë revista e specializuar sportive "Kicker", që pohon se Ze Roberto është kërkuar nga vetë trajneri Otmar Hitrzfeld. Një tjetër gazetë e njohur gjermane, "Bild", pohoi se Frenk Riberi do ta lërë Olimpikun e Marsejës për rekordmenët gjermanë për një shumë transferimi prej 25 milionë eurosh.