E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Sporteve akuza Dukës për cmimet e biletave

Një konflikt i ri shpërthen midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Argumenti qeveritar ka të bëjë me cmimin e lartë të biletave të vendosura nga institucioni që kujdeset për futbollin në Shqipëri në ndeshjen kundër Luksemburgut, duke e vlerësuar si abuziv veprimin e FSHF-së, duke sulmuar indireket presidentin Armand Duka. "MTKRS shpreh shqetësimin e saj që ndeshja e ekipit tonë Kombëtar me atë të Luksemburgut u trajtua nga FSHF-ja për qëllime fitimprurëse, duke përjashtuar nga mundësia për ta ndjekur ndeshjen në stadium të mijëra sportdashësve shqiptarë", - thuhet në deklaratën e ministrisë, të ideuar nga pasuesi i ish-ministrit Bujar Leskaj, Ylli Pango. "Politikat e MTKRS-së në lidhje me cmimet e biletave për evenimente të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare kanë qenë dhe mbeten gjithëpërfshirëse, lehtësisht të përballueshme për të gjithë shqiptarët dhe mundësitë e tyre ekonomike". Cmimet e biletave për ndeshjen me kundështarin më modest të Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2008 ishin të kripura: 3000 lekë biletat në tribunat A dhe B (të mbuluarat), 1500 në tribunën qendrore (D2) dhe nga 1000 lekë ato D1 dhe D3. Cmime shumë më të shtrenjta se ato që vendosi federata bullgare në takimin Bullgari-Shqipëri, ku bileta më e shtrenjtë ishte 7.5 (1000 lekë) euro dhe më e lira 2.5 euro (300 lekë). Gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Luksemburg një grupim i ultrasve "Tifozat kuqezi" vendosën një banderolë me një mesazh të qartë kundër drejtuesve të FSHF-së, duke stigmatizuar gërmën "S" në formën e simbolit të dollarit amerikan "$". "Kjo qetësi mundësohet nga F$HF, sponsor zyrtar i faraxhive". Kjo banderolë kërkoi dhe ndërhyrjen e policisë për ta larguar atë.
"MTKRS e vlerëson si abuziv veprimin e FSHF-së, e cila dikton cmime të tilla që nxisin tregun e zi të biletave, duke cënuar moralin kombëtar të ekipit tonë si dhe duke lënë jashtë dyerve të stadiumit mijëra sportdashës nga Shqipëria, Kosova e më gjerë në rajon", - përfundon deklarata e ashpër e zyrës së z. Pango.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›