Dunga: Seleçao, e bashkuar dhe e motivuar
Luis Inacio Lula da Silva, presidenti i Brazilit, ka pritur “seleçao”-n në “Palasio da Alvorada”. Takimi është zhvilluar përpara se skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga të nisej drejt Afrikës së Jugut, ku më 15 qershor do të debutojë në Kupën e Botës 2010 përballë Koresë së Veriut. Përveç drejtuesit më të lartë të shtetit, të pranishëm ishin edhe zonja Marisa Leticia dhe ministri i Sporteve, Orlando Silva. Nga 23 elementët e përzgjedhur për të përfaqësuar vendin amerikanojugor, në këtë ceremoni zyrtare mungonin vetëm Lusio dhe Maikon. Dy futbollistët e Interit do t’i bashkohen skuadrës në Afrikën e Jugut. Nga ana e tij, trajneri Dunga e ka siguruar Lulën se “Brazili është i bashkuar dhe mjaft i motivuar për aktivitetin më të rëndësishëm në botë”. Skuadra i ka dhuruar zonjës Marisa Leticia fanellën e Kombëtares, e cila ishte firmosur nga të gjithë lojtarët që do të marrin pjesë në botëror. Por, rreth pritjes nuk kanë munguar as “provokimet” e mediave. “Terra” fliste për “mallkimin Lula” dhe theksonte se që prej vitit 2003 e deri më sot, skuadrat apo atletët që janë takuar me presidentin, janë eliminuar ose dëmtuar në aktivitetet ku merrnin pjesë. “Seleçao” niset drejt Afrikës së Jugut, me shpresën se do ta fitojë për të gjashtën herë Kupën e Botës. Më parë ata kanë triumfuar në vitin 1958 në Zvicër, 1962 në Kili, 1970 në Meksikë, 1994 në SHBA dhe më 2002-shin në Japoni dhe Kore.
#