Duni kthen "Fishkëllimë në errësirë"
Drama e Tom Mërfit, "Fshikëllimë në errësirë", do t‘i rikthehet skenës së Teatrit Kombëtar, nga data 23 deri më 25 janar. Me regji të Spiro Dunit, kjo shfaqje sjell në vëmendje historinë e një familjeje e cila jeton në emigracion. "Fishkëllimë në errësirë" mbart me vete një ngjarje e cila përkon më së miri edhe me aktualitetin në Shqipëri. Gjen aty emigracion, dhunë, dashuri, të cilat do të ngjisin edhe një herë në skenë aktorët Reshat Arbana, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Anila Bisha, etj. "Fishkëllimë në errësirë" është ngjitur në skenë për herë të parë në vitin 1961 dhe vazhdon edhe sot të ketë sukses në shumë skena të botës. Dhuna është tematika kryesore e veprës, një pjesë realiste që shkon deri në natyralitet. Dy probleme që, në ditët tona, janë më aktualet edhe për Shqipërinë postkomuniste, madje më aktuale sa edhe për vetë Irlandën, atdheun e autorit. Për herë të parë në skenën tonë, vepra u ngjit premierë më 28 nëntor, duke çelur edhe sezonin e Teatrit Kombëtar.