E Shtunë, 31 Tetor 2026

Truket psikologjike për të demoralizuar armikun

Ndërhyrja në valët e radios, përhapja e lajmeve false dhe mbjellja e dyshimeve: Izraeli dhe Hamasi po u drejtohen të gjitha opsioneve kur vjen fjala te lufta psikologjike. Gënjeshtra e mashtrimi janë kthyer në armë të mirëfillta për të shkatërruar moralin e armikut.

Rreth çdo një orë Izraeli ndërhyn në valët radiofonike: zëri i spikerit Kamal Abdu Naser ndërpritet për pak minuta dhe zëvendësohet nga një izraelit që flet në arabisht. Dëgjuesit në Rripin e Gazës e dinë që në ato çaste flet ushtria izraelite. Hamasi është përgjegjës për luftën dhe mjerimin në Gaza, thotë zëri i panjohur.

Edhe televizioni Hamas, "Al Aksa" ndërpritet në intervale të rregullta, tregojnë shikuesit. Për shembull, në njërën prej ndërprerjeve shfaqej një snajper që u qëllonte fotove të liderëve të Hamasit. Një zë në arabisht shoqëronte skenën: "Kësaj here do ta paguani".

Ushtria izraelite e krijoi departamentin e luftës psikologjike para tre vjetësh. Por fillimet e saj nuk do të mund të quheshin të suksesshme. Gjatë luftës me Libanin, në vitin 2006, hodhën fletushka pak domethënëse në zonat e shiitëve civilë në jug të Libanit. Pamfletet përfshinin një vizatim të liderit të hezbollahut Hasan Nasrallah, teksa dridhej nga frika i fshehur pas një peme. Mesazhi që kërkonte të jepte fletushka ishte se milicia shiite e Libanit fshihej pas qytetarëve civilëve.

Kjo përpjekje nuk dha efektin e dëshiruar. Përkundrazi, libanezët ua tregonin fletushkat vizitorëve edhe muaj më pas, për të demonstruar naivitetin e izraelitëve.

Fletushka që mbjellin dyshim

Por gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, Izraeli e ka marrë mësimin lidhur me mënyrën si duhet zhvilluar lufta psikologjike. Nga njëra anë kanë mësuar si të ndërhyjnë në valët radiofonike e televizive, nga tjetra kanë përmirësuar përmbajtjen e fletushkave që shpërndahen nga ajri. Pamfletet që po hidhen këto ditë në Rripin e Gazës janë larg të qenit imazhe naive propagandistike. Tani përmbajnë numra telefoni e adresa e-mail-esh, të cilat palestinezët mund t‘i përdorin në rast se duan të tregojnë vendndodhjet e liderëve të Hamasit, apo të depozitave të armatimeve.

Mund të hamendësohet se ato numra telefoni nuk përdoren shpesh, por fletushkat janë më se të efektshme: "Pamflete të tilla mbjellin farat e dyshimit mes liderëve të Hamasit dhe popullsisë civile", thotë Efraim Kam, zëvendësdrejtor i Institutit Kombëtar të Studimeve për Sigurinë në Universitetin e Tel Avivit. Ato krijojnë një atmosferë të dominuar prej mosbesimit, pasi papritmas dikush ka në dorë mjetet për të tradhtuar liderët e Hamasit.

Sipas ekspertit Kam, raportet e vazhdueshme izraelite për probleme të shumta brenda vetë Hamasit luajë një efekt të ngjashëm. Për ditë me radhë spikerët izraelitë raportojnë se gjeneralët e tyre vërejnë grupe të tërë luftëtarësh të demoralizuar Hamasë që dezertojnë. E dhënë që nuk ka shans të konfirmohet, por që gjithsesi dëmton moralin e armikut. Njëherësh përforcon vullnetin e popullsisë izraelite për të vazhduar dhe në Rripin e Gazës, ku media izraelite është burimi kryesor i informimit, mesazhi ngre pikëpyetje nëse Hamasi është ende në këmbë apo jo. "Mesazhe të tilla mund të jenë ose mund të mos jenë të vërteta, por nuk ka dyshim që japin rezultatin e dëshiruar", shpjegon Kam. "Dëmtojnë besimin te Hamasi".

Hamasi kundërpërgjigjet me truket e veta

Edhe islamikët e Rripit të Gazës gjithashtu e kanë kuptuar forcën e luftës psikologjike në arritjen e qëllimeve të tyre. Hamasi ka përhapur në mënyrë të përsëritur mesazhe për kapjen, apo vrasjen e ushtarëve izraelitë. Këto mesazhe përkthehen në hebraisht dhe futen në trafikun e transmetimeve, në ato pjesë të Rripit të Gazës që mbahen në kontroll nga forcat pushtuese. Edhe pse mesazhet mund të përgënjeshtrohen më vonë, fillimisht arrijnë të cenojnë moralin e ushtarëve në front.

Hamasi e ka instrumentalizuar ushtarin izraelit Gilad Shalit për të njëjtat motive. Shalit gjendet në duart e islamikëve të Rripit të Gazës prej më shumë se dy vjet e gjysmë - fati i tij është në vëmendjen e të gjithë kombit. Dhe në fakt, një prej synimeve të të gjithë kësaj ofensive është kthimi në shtëpi i këtij ushtari - por edhe fakti se pjesa dërrmuese e popullsisë izraelite e mbështet operacionin ushtarak në Gaza.

Në fillim të ofensivës izraelite, Hamasi deklaroi se Shalit ishte plagosur nga zjarri izraelit. Mesazhi ishte i qartë: në rast se Izraeli donte ta shihte të gjallë Shalitin, duhej të ndalte luftën. Të shtunën e shkuar islamikët e Gazës deklaruan se jeta e Shalitit nuk përbënte më rëndësi. "Mund të jetë i plagosur, ashtu si mund të jetë edhe fare mirë. Kjo çështje nuk përbën më interes për ne", tha anëtari i politbyrosë së Hamasit, Musa Abu Marsuk, duke ngritur kështu dyshime të forta mbi fatin e ushtarit.

Izraeli, më i frytshëm

Gjithsesi, fushata më e efektshme propagandistike i takon Izraelit. Më 26 dhjetor, kur përplasja e armatosur mes Izraelit dhe Hamasit dukej e pashmangshme, Jerusalemi bëri thirrje për një armëpushim 48 orësh. Qeveria bëri me dije se kishte ndër mend të shqyrtonte të gjitha zgjidhjet e mundshme. Për t‘i krijuar Hamasit një lloj ndjesie sigurie, ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, arriti deri në atë pikë sa mori pjesë në një program satirik - në këtë pikë, vendimi për të sulmuar mëngjesin e datës 27 ishte marrë prej 24 orësh. Hamasi nuk dyshoi për asgjë. Mëngjesin e datës 27 policia zhvillonte një ceremoni, ndërkohë që gjithçka vazhdonte si normalisht. Në atë pikë 60 avionë luftarakë izraelitë ishin ngritur në ajër dhe qenë nisur drejt objektivave të veta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›