E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti shqiptar, një "hero" në Itali

Një student shqiptar në
Romë të Italisë ka mbetur
i plagosur, pasi ka ndërhyrë
në një sherr për të shpëtuar
shokun e tij. 17-vjeçari shqiptar, të
cilit i jepet vetëm emri, ka ndërhyrë
për të shuar sherrin mes disa agresorëve
dhe një shokut të tij të shkollës,
por ka mbetur vetë i plagosur.
Në momentin kur gjithë të
tjerët trembeshin nga skena makabre,
ku kishte thika, leva e deri te
pistoleta, ai ka ndërhyrë për
mbrojtjen e shokut, të cilit donin
t‘i vidhnin një motor. Shokët e shkollës
e kanë cilësuar 17-vjeçarin
shqiptar si një nxënës model, ndërsa
mediat e vendit fqinj thonë se
janë të paktë ata që do të ndërmerrnin
një veprim të tillë, duke shtuar
se tashmë ai është një hero që
ka shpëtuar jetën e një njeriu.
Sipas agjencisë së lajmeve,
"Ansa", ai është një student model,
që të gjithë në liceun "Aristoteli" në
Romë e përshkruajnë si një ndër
më të mirët në shkollë. Që sot, Ermiri,
17 vjeç, nga Shqipëria, do të
jetë edhe heroi i liceut në Romë, në
të cilin, pak kohë pas orarit të daljes
nga shkolla, e kanë plagosur një
grup të rinjsh, që sipas hetimeve
paraprake kanë dashur të vjedhin
një motor të një mikut të tij, pikërisht
përpara liceut. Por për Ermirin,
miqësia është një dhuratë e
çmueshme dhe për këtë motiv nuk
ka hezituar të ndërhyjë, duke u
hedhur mes shokut dhe agresorëve.
I riu shqiptar, i cili është
operuar në spitalin Sant‘Eugenio
në Romë, ka rrëfyer se ka ndërhyrë
sepse po rrihnin një shokun e tij, të
cilin nuk mund ta linte vetëm, pasi
donin edhe t‘i vidhnin motorin.
Mediat italiane e kanë cilësuar
emrin e këtij heroi shqiptar si
"aromë paqeje", duke treguar se ai
është djali i një çifti shqiptarësh nga
Durrësi, të cilët kanë zgjedhur të
jetojnë në Itali rreth 10 vjet më parë.
I riu jeton në lagjen Trigoria me
familjen e tij, ku i ati punon si mekanik.
Motra e tij, Riola, disa vjet më
e madhe, ka pak kohë që është
diplomuar në inxhinieri informatike.
Por, duke u kthyer tek incidenti,
mediat italiane thonë se ai ka
krijuar panik te studentët. Sipas
dëshmive, pak pas orës 13:20 ka
ardhur një makinë me ngjyrë portokalli,
mbase një "Fiat Punto",
tashmë e shpallur në kërkim nga
policia, nga e cila kanë zbritur 3-4
persona që i janë afruar një studenti
17-vjeçar. Studenti ishte një mik
i Ermirit dhe pas një debati ka tentuar
të hyjë brenda ambientit të liceut.
Agresorët e kanë ndjekur deri
aty dhe kanë nxjerrë një thikë,
pastaj një bajonetë dhe në fund një
pistoletë për të terrorizuar qoftë të
rinjtë e pranishëm, qoftë edhe studentët
që po dilnin nga orët e mësimit.
Pas gjithë kësaj ishte vjedhja,
ose tentativa e vjedhjes së një
motori. Pas atij momenti, në shkollë
kanë shkuar edhe agjentët e
policisë, që kanë marrë në pyetje
disa studentë për orë të tëra. Në
fund të ditës, hetuesit e Romës
kanë ngritur dyshime të forta mbi
dy studentë, të cilët po merreshin
në pyetje në ambientet policore.
Megjithatë, deri në orët e vona të
mbrëmjes, askush nuk është arrestuar,
pasi sipas policisë nuk janë
mbledhur gjithë komponentët e
duhur për fajësinë e tyre. Nga ana
tjetër, studenti shqiptar, i plagosur,
ndodhet jashtë rrezikut për jetën,
pavarësisht se ka pasur jo pak komplikacione
nga plaga e marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›