E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia e zemëruar

Turqia tha se është “thellësisht e shqetësuar, Azerbajxhani e dënoi si “falsifikim të historisë”, por Armenia tha se bëhet fjalë për një hap të madh drejt parandalimit të krimeve kundër njerëzimit”.

Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Komitetit të Jashtëm në Kongresin amerikan për miratimin e rezolutës e cila i njeh si “gjenocid” vrasjet masive të armenëve nga turqit osmanë, afro një shekull më parë.

Turqia ka reaguar me zemërim ndaj vendimit të panelit në Kongresin amerikan, i cili e cilësoi si “gjenocid” vrasjen masive të armenëve nga turqit osmanë, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ankaraja e ka tërhequr ambasadorin nga Washingtoni për konsultime.

Në një deklaratë me shkrim, kryeministri Recep Tayyib Erdogan tha se rezoluta e akuzon Turqinë “për krime që nuk i ka kryer”.

Ai gjithashtu shprehu shqetësime se rezoluta jodetyruese mund t’i dëmtojë përpjekjet e Turqisë myslimane dhe Armenisë së krishterë që ta varrosin armiqësinë shekullore.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, i bëri thirrje administratës së presidentit Obama ta bllokojë rezolutën.

Ai tha se Ankaraja është “shqetësuar seriozisht” nga votimi i Komitetit të Kongresit dhe e paralajmëroi Uashingtonin se po i dëmton interesat strategjike të tij.

“Dëmtimi i këtyre marrëdhënieve për interesa të ngushta të politikës lokale nuk do ta dëmtojë vetëm Turqinë, por do ta dëmtojë vizionin strategjik të Shteteve të Bashkuara", tha Davutogllu.

Administrata Obama gjithashtu i ka bërë thirrje komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve që të mos e miratojë rezolutën, duke thënë se kjo mund ta dëmtojë procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Armenisë.

Ndërkohë, Armenia e ka përshkruar votimin si shtysë për të drejtat e njeriut. Ministri i Jashtëm armen, Eduard Nalbandian, tha se rezoluta është edhe një “dëshmi e përkushtimit të popullit amerikan ndaj vlerave universale njerëzore” dhe se është “hap i rëndësishëm drejt parandalimit të krimeve kundër njerëzimit”.

Armen Rustamian, kryetar i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin armen, tha se rezoluta do ta forcojë pozitën e Armenisë, që t’i mbrojë interesat kombëtare të saj gjatë ri-negocimit të marrëveshjes së tetorit.

“Dëshiroj t’ju uroj të gjithëve për këtë sukses. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne po përpiqemi ta rrëzojmë këtë perde të heshtjes që është krijuar”, tha Rustamian.
Në Azerbajxhan, aleatin e Turqisë, sekretari i përgjithshëm i partisë në pushtet, Ali Ahmadov, e dënoi rezolutën si “falsifikim të historisë”.

Miratimin e rezolutës e dënoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ankara, James Jeffrey.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›