E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanset e Obama dhe Mekein për në Shtëpinë e Bardhë

 

Pas mbylljes së konventës së demokratëve, radha tani është për republikanët për të zyrtarizuar Xhon Mekein si kandidat për President të SHBA-së. Kuvendi i republikanëve do të nisë të hënën në Mineapolis-St. Pol të Minesotës. Pasi të përfundojnë të gjitha fjalimet në kuvende dhe sulmet politike, pasi të lëshohen tollombazet dhe të dëgjohen të ftuarit e famshëm, zgjedhjet presidenciale do të konvergojnë në një zgjedhje të thjeshtë, kush do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, demokrati Barak Obama, apo republikani, Xhon Mekein. Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, humbi në zgjedhjet paraprake ndaj Xhon Mekeinit, por tani ai e mbështet atë fuqimisht dhe kritikon Obamën vazhdimisht. “Mendoj se Senatori Mekein do të na mbajë në vijën e parë të frontit kundër terrorizmit dhe kështu do të na mbrojë, ndërsa Senatori Obama do të na vërë në pozita mbrojtëse dhe kjo nuk do të jetë një strategji e mirë për sigurimin e vendit. Senatorit Obama i mungojnë njohuritë në politikën e jashtme dhe ky është një shqetësim serioz”. Demokratët e kanë shumë të qartë se Obama nuk ka përvojë në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurimit kombëtar. Ish-presidenti Bill Klinton u kujtoi demokratëve se sulmet e republikanëve kundër Senatorit Obama kanë një tingëllim të njohur për ta. “Ne fituan ndaj një fushate të ashpër gjatë, të cilës republikanët thanë se unë isha shumë i ri dhe pa përvojë për të qenë komandant i përgjithshëm. E njëjta gjë dëgjohet edhe sot. Por ajo nuk dha rezultat në vitin 1992, sepse ne ishim në një rrugë të drejtë historike, ajo nuk do të japë rezultat në 2008, sepse Barak Obama po ndjek rrugën e drejtë në histori”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›