Duro: “Ja përse Bariç zgjodhi Memellin dhe Rrustemaj”

EKSKLUZIVE - Shpëtim Duro, ndihmësi shqiptar i trajnerit të Kombëtares shqiptare njëherësh edhe ish-trajner i njohur i disa ekipeve shqiptare (Bylis, Apolonia, Dinamo, Partizani) si dhe ekipeve përfaqësues U-19 dhe tani U-17, është i ftuari ekskluziv i Albania-sport.com. Duro zbardh disa detaje të reja nga grumbullimi i Kombëtares (B) në Antalia të Turqisë si dhe surprizat e përgatitjeve kundër Maqedonisë.
Duro, ekipi përfaqësueses ka disa ditë që është rikthyer nga faza përgatitore në Antalia të Turqisë, ku spikatën disa talente që morrën edhe pëlqimin e trajnerit Baric?
- Ishte një grumbullim nëntë ditor të cilën e konsiderojmë si shumë të suksesshëm. Edhe në bisedimet publike me drejtues të federatës që ishin të pranishëm në Antalia, e për më tepër në bashkëbisidemet e ngushta dhe konfidenciale si të Kovacic ashtu edhe të miat me teknikun Oto Baric kemi ndarë të njjëtin vlerësim: një grumbullim i nevojshëm, i suksesshëm. Trajneri Baric formuloi një ide më të qartë për shumë nga futbollistët që vinin nga jashtë dhe ai i shihte për herë të parë, por dhe për ata që ai kishte parë gjatë grumbullimit të dhjetorit të vitit të kaluar.
Sipas raportimeve të mediave direkt nga Turqia, Baric vlerësoi me emra të përvecëm disa lojtarë, të cilët priten edhe të ftohen në ndeshjen testuese me Maqedoninë?
- Është e vertetë. Një nga më të spikaturit ka qenë Migen Memelli, sulmuesi shqiptar që po luan me shumë sukses te Bran Bergen në Norvegji. Memelli besohet shumë nga Baric dhe do të jetë gjithmonë pranë ekipit të parë "A". Gjatë muajit dhjetor 2006, Baric më la një detyrë për ta ndjekur Memellin me Bran Bergenin, por sugjerimi im për trajnerin ishte që ta vëzhgonte në Norvegji, Kovacic, i cili erdhi me konsiderata maksimale për Migenin. Ai ndoqi ndeshjen Rozenborg-Bran Bergen, ku luanin si Jahmir Hyka ashtu dhe Migen Memelli. Duke parë edhe moshën e re Jahmir Hykës dhe Xhevair Sukaj, konkluzioni i trajnerit Baric është se që ty futbollistët e kombëtares U-21 e kaluan me sukses provën e tyre në gjirin e përfaqësues A. Baric krijoi një bindje të plotë se këta lojtarë i përkasin së ardhmes, të cilën si ndihmës i tij e konsideroj si një sinjal shumë të mirë për rinovimin e shumëpritur të Kombëtares. Këta lojtarë do të jenë brenda 22-shes në ndeshjen kundër Maqedonisë.
Baric përmendi edhe emra të tjerë...
- Përvec këtyre janë dhe disa lojtarë të tjerë që treguan vlera, dhe do të jenë në konsideratë për të ardhmen e afërt. Një nga këta është Endri Vrapi, që sidomos në ndeshjen e fundit (kundër Tiranës, 2:2), tregoi se ka vlera si futbollist. Edhe Sabino Plaku është një nga ata që i përket së ardhmes, pasi shënoi katër gola në tri ndeshje, por ka ende për t'u formuar në nivelin e përgjithshëm të lojës.
Takimi miqësor me Maqedoninë do dhe pak ditë të zhvillohet. A është hartuar lista paraprake, kur ajo e kundërshtarit tuaj ka ditë që është bërë publike?
- Po është hartuar lista me 22 ose 23 lojtarët e mundshëm dhe janë marrë dhe konfirmimet formale nga klubet e tyre. Nuk është rasti të citoj për faqen Albania-sport.com, pasi kjo është një detyrë e Sektorit të Ekipeve Kombëtare.
Befasues ishte edhe emri i Blerim Rrustemaj, jo i pranishëm në listën e Antalias pavarësisht se ai ishte në grumbullimin e dhjetorit?
- Opionioni i mirë për qendërmbrojtësin Rrustemaj u krijua aty. Të informuar qysh më parë për takimin miqësore Borusia Mënshengladbah II me një skuadër rumune të Kategorisë së Parë, së bashku me trajnerin Baric udhëtuam dy orë larg qëndrës sonë të grumbullimit në Kemer, për ta parë atë në aksion. Rrustemaj ishte kapiteni i skuadrës së Borusia Mënshengladbah II, qëndërmbrojtës dhe për ne si staf teknik ai është lojtari që është më afër nga të gjithë për të qenë pjesë e formacionit kundër Sllovenisë. Ai është 24-25 vjec dhe të jesh kapiten e Borusia Mënshengladbah është e gjë e madhe. Sigurisht që më parë duhet të pajiset me pasaportën shqiptare.
Intervistoi: Dash Frashëri