E Shtunë, 31 Tetor 2026

In Memoriam / Shuhet legjenda Arben Minga. Futbolli shqiptar ne zi

Ish-futbollisti legjendar i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, Arben Minga është ndarë sot nga jeta. Ish-lojtari i njohur ndodhej në Kanada, atje ku ai jetoi prej më shumë se gjashtë vjetësh me familjen e tij. Minga vuante prej gati dy vjetësh nga një sëmundje e rëndë dhe kurohej vazhdimisht në vendin e largët. Ditët e fundit gjendja shëndetësore e legjendës së futbollit, për fatin e keq u përkeqësua shumë. Doktorët i hoqen ilacet dhe kurën që ai vazhdonte gjatë kohëve të fundit. Arben Minga ka qenë një nga sulmuesit të spikatur të Tiranës dhe Kombëtares shqiptare gjatë viteve ‘90. Ai ka fituar shumë trofe me bardheblutë, duke u kthyer në një ikonë për klubin kryeqytetas. Të njëjtën karrierë të lavdishme, ai ka pasur edhe e radhët e Kombëtares shqiptare, ku ka luajtur me një brez të shkëlqyer. Pasi u "divorcua" me botën e futbollit, Minga emigroi në Kanada ku ndroi jete ne moshen 49-vjecare.
Kulmi me Kombëtaren shqiptare
Periudhën më të artë si futbollist me Kombëtaren shqiptare, Arben Minga e ka jetuar në vitin 1984. Ish-sulmuesi i Tiranës formonte një dyshe të frikshme me Agustin Kolën asokohe, koleg dhe te bardheblutë. Shqipëria do të fitonte 2-0 atë takim ndaj belgëve, të cilët po kalonin një moment të shkëlqyer atëherë, ndërkohë që njërin gol do ta realizonte pikërisht Arben Minga. Shqiptarët e mbajnë mend mirë atë gol, që është cilësuar një nga më të bukurit të shënuar nga Minga në karrierën e tij. Ish-sulmuesi i njohur ka luajtur plot 28 herë me Kombëtaren shqiptare gjatë karrierës së tij, duke shënuar 2 gola dhe duke u bërë lojtari i Tiranës që ka veshur më shumë herë fanellën kuqezi në historinë e klubit.
Kulmi me klubin e Tiranës
Momentet e bukura të Arben Mingës me klubin e Tiranës janë të shumta, por një nga më kulminantët ka qenë ai i vitit 1986. Tirana shkonte në Bukuresht për të luajtur ndaj Dinamos në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Kupave. Pas një 90-minutëshi emocionues, bardheblutë do të fitonin me rezultatin 2-1, ndërkohë që njërin gol do ta shënonte Minga, me një realizim mjaft të bukur. Ish-sulmuesi i njohur ka luajtur në Kupën e Kampioneve dhe Kupën e Kupave me Tiranën, duke realizuar tre gola në Evropë dhe duke koleksionuar paraqitje që mund të konsiderohen rekord edhe sot e kësaj dite. Pikërisht, kjo karrierë e ktheu Mingën në një idhull për tifozerinë bardheblu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›