Duro: Jemi më të qetë, por para kemi Laçin
Trajneri i korçarëve e pranon se fitorja e fundit ktheu besimin te skuadra, madje e quajti tripikëshin të rëndësishëm
Atmosfera e fitores së fundit dhe të parën njëkohësisht për këtë sezon ndaj Shkumbinit, duket se është shuar shpejt në Korçë. Kampionët nuk kanë pasur kohë të gëzohen për këtë tripikësh të parë, ndërkohë që fitoren e së shtunës që kaloi e kanë cilësuar thjesht një detyrë shtëpie dhe asgjë më shumë se kaq. Këtë e ka pohuar ditën e djeshme në fjalët e tij të para vetë trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, i cili në një prononcim të tijin për Sportin shqiptar, do të deklaronte:
Sigurisht që pas asaj fitoreje ndaj Shkumbinit ndihemi më të qetë. Situata para ndeshjes së fundit nuk ishte aspak e mirë, ndërkohë që kjo fitore që arritëm ishte thjesht një detyrim. Nuk më ka gëzuar thjesht fitorja ndaj Shkumbinit, pasi unë e theksova që e kishim thjesht detyrë, ndërkohë që skuadrës iu kthye qetësia dhe kjo ishte akoma edhe më e rëndësishme.
Normalisht që gabuam në dy javët e para, prandaj e shohim veten pak poshtë në tabelën e klasifikimit, por është shpejt dhe vetëm dy pikë na ndajnë nga kreu. Jo vetëm ne, por të gjitha ekipet kanë gabuar dhe për skuadrën time pozitive është se u rikthyem si më parë, si me lojë, por edhe me rezultat.
Dëmtimet Për gjendjen e lojtarëve të dëmtuar dhe për atë se si e shikon faktin që një 18-vjeçar si Kërçiku arriti të zhbllokojë Skënderbeun në sulm, ai do të shtonte: Është e vërtetë që dëmtimet më kanë shqetësuar, pasi u detyrova edhe vetë që ti bëja ndërrimet e detyruara.
Por unë prandaj e kam theksuar se për një ekip kampion duhen të paktën 17-18 futbollistë që të jenë të gatshëm dhe të cilësohen të gjithë lojtarë formacioni dhe ne e kemi këtë, kështu që kemi kohë të mendojmë edhe dëmtimet dhe presim që ndonjë edhe të rikuperohet. Për sa i përket Kërçikut, më vjen mirë që ai shënoi golin e parë dhe mos harroni se Gvozdenoviç dhe Kërçiku janë dy lojtarët që mbërritën vetëm dy javë përpara se të fillonte kampionati.
Gradualisht do të vijë edhe ambientimi i tyre me ekipin. Unë jo më kot e mora Kërçikun te Skënderbeu dhe dua të theksoj se ai lojtar është i ri dhe me perspektivë. Për mua, të gjithë janë të rëndësishëm te Skënderbeu, prandaj pas asaj fitoreje të fundit, kam thënë fjalët më të mira për të gjithë, pasi loja ishte shumë e mirë dhe kur zhvillon lojë të mirë, normalisht rezultati vjen vetë.
Laçi Skënderbeu, pas asaj fitoreje ndaj peqinasve, ka filluar të mendojë për Laçin, një ekip dhe një fushë e vështirë kjo e transfertës së kësaj jave. Unë personalisht edhe brenda fushës tonë i parashikoj ndeshjet e vështira dhe jo më në transfertë. Laçi është një skuadër vërtet shumë e fortë, sidomos kur luan në fushën e vet.
Kurbinasit kanë lojtarë me përvojë dhe jo më kot unë në merkaton e verës që kaloi dy lojtarë të Laçit i kisha në planet e mia, por për arsye të ndryshme nuk arritëm që ti bënim pjesë të ekipit. E rëndësishme është që pas fitores që arritëm kemi qetësinë e duhur përpara kësaj transferte dhe kemi kohë për të folur deri ditën e ndeshjes, pasi është akoma herët, – përfundon fjalët e tij trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, që normalisht edhe vetë në krye të pankinës ndihet më i qetë me atë fitore të fundit, që vinte pas dy barazimeve radhazi.
Kampionët harrojnë që do të luajnë në Kupë
Siç dihet, nesër do të luhen edhe ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që korçarët një javë më parë arritën të fitonin 2-1 në Pukë ndaj Tërbunit. Nesër pukjanët do të kthejnë vizitën në qytetin juglindor, një ndeshje e cila do të luhet në orën 15:30.
Por ndërkohë që për kualifikimin Skënderbeu nuk mendon aspak, pasi e ka në xhep, madje që në ndeshjen e parë, kjo ndeshje e kthimit ndaj Tërbunit do të shërbejë më shumë si një ndeshje kontrolli, ku Duro do të aktivizojë të gjithë ata futbollistë që nuk kanë pasur mundësi të aktivizohen në tri javët e para të kampionatit. Dy ditë para kësaj ndeshjeje në Korçë thuajse e kanë harruar Tërbunin, ndërkohë që në qytetin juglindor flitet dhe mendohet vetëm për ndeshjen e javës së 4-t të superligës në Laç.
Allmuça me serume, mungon në stërvitje
I ka ecur më shumë se ters që në momentin që ka ardhur te Skënderbeu. Bëhet fjalë për kryeqytetasin Igli Allmuça, i cili në ndeshjen e fundit ndaj Shkumbinit nuk ishte as në stolin e rezervave. Mësohet se duke u gdhirë mëngjesi i së shtunës, Allmuça ka qenë në spitalin e Korçës, madje me serume, për shkak të një tjetër diarreje, tashmë e shoqëruar edhe me temperaturë të lartë.
Allmuça e kishte vendin në formacion, ndërkohë që duke parë këtë gjendje, mjekët e ekipit e nisën në Tiranë, pranë familjes. Kjo gjendje viroze ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme për Allmuçën, i cili ka vijuar serumet, ndërkohë që akoma nuk dihet se kur do të kthehet te Skënderbeu.
Radas mund të rikuperohet, Sulejmanoviç jo
Alarmi i ditëve të fundit në lidhje me dëmtimet e shumta në radhët e korçarëve ka bërë që krejt stafi teknik ti hedhë sytë nga infermieria me shpresën se të paktën një mbrojtës i krahut të djathtë duhet të rikuperohet për ndeshjen e radhës.
Për sa i përket Almir Sulejmanoviçit, ai dje ka qenë i veshur civil dhe me kaviljen e fryrë ka ndjekur thjesht stërvitjen, ndërkohë që mjeku Jorgo Pantazi bën të ditur se për sllovenin as që bëhet fjalë që të bëhet gati deri të shtunën.
Nga ana tjetër, për Marko Radas, që është qepur në kokë me tre penjë, shpresat janë të mëdha. Mjeku sqaron se Radas do të jetë i gatshëm në fundjavë, por do të aktivizohet me kokën e fashuar.
