E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaxhi: Kamikazët shkatërruan Amerikën, jo më Dinamon

Nga ERJON HAMITAJ

Tekniku i bluve pohon se situata në Lushnjë ishte e nderë për futbollin tonë dhe se nuk mund të ecet kështu në të ardhmen

Dinamo provon humbjen e dytë radhazi dhe sërish këtë herë në Myzeqe. Ndeshjen e parë e ka humbur ndaj Apolonisë 2-0 dhe të dytën ndaj Tomorit 2-1. Ky i fundit, veç golave dhe lojës, në fushë është shoqëruar edhe nga disa akte anti-futboll. Për më tepër, tekniku i bluve të kryeqytetit, Faruk Sejdini, i cili në minutën e 49-të të takimit donte ta nxirrte skuadrën jashtë fushe, pohon për Sportin shqiptar këto  fjalë:

Ndeshja mu duk sikur po luaja në një planet tjetër, pa llogjikë futbolli. Ne shkuam për të luajtur në fushë, të fitojë kush të dojë, kush të jetë më i zoti të dalë triumfues. Ata pa logjikë filluan të gjuanin, më e keqja ishte se aty filluan të gjuanin edhe me shishe birre (qelqi) e jo më me shishe plastike, që dukeshin tërësisht normale në ato kushte si u zhvillua ajo ndeshje.

Për punë sekondash kemi shpëtuar, sepse po të mendonim se do të ishte një ndeshje e tillë, do ta kishim lënë në tavolinë. Vendosa në një moment ta nxirrja ekipin jashtë, por sërish u rikthyem pas një qetësie të vogël. Ne shkuam për të luajtur futboll, jo për akte të tilla, jo për të vrarë njerëz.

Edhe nëse Tomori  do të vijë në Tiranë e të paraqesi këtë situatë, si ajo që kaloi të dielën, sërish do kërkoj më mirë tia japim në tavolinë, pra ta marrë siç mori këtë. Unë sërish do tua jap dorën ashtu si bëra dje. Ska logjikë kur ndodhin këto situata, sepse ky është fillimi, po në fund çdo të ndodhë?

Euforia Ekipi ynë nuk hyri me eufori në fushën e lojës, sepse kështu u mendua, por gjithçka lidhet me ato akte kamikaze që ndodhën aty, sepse ata janë djem të rinj dhe normalisht që tremben nga këto situata. Unë ekipin e njoh mjaft mirë dhe pashë që ata u trembën.

Në qoftë se trembesh, humbet logjikën. Pastaj po të kaloj tek arbitri, nuk po i hyj fare kësaj pune, sepse dihet që kamikazët shembën Amerikën, jo më këtë Dinamo, që duket dhe nga vetë situata ku ndodhemi.

Ndeshja e radhës Po të jetë për ndeshjen e kupës, nuk e llogaris fare, sepse ajo mbetet një trampolinë për ekipin, ose më mirë një ndeshje kontrolli, sepse unë kam vendosur të luftoj edhe në kupë. Mendoj që kupa për ne është në plan të dytë, sështë ajo determinantja.

Unë nuk heq dorë nga asnjë gjë, sepse i kam potencialet, por unë bëj apel vetëm për një gjë: Dua vetëm të luajmë vetëm futboll, sepse po të ndodhin akte të tilla, çfarë kulture u japim këtij grupi  të rinjsh? përfundon numri një i pankinës së Dinamos.

SHKURT NGA DINAMO

-         Stërvitja ka nisur në orën 17:00 dhe të pranishëm ishin vetëm futbollistët që ishin aktivizuar në pjesën e dytë në takimin e së dielës, gjithashtu edhe pjesa tjetër që nuk kanë qenë e grumbulluar për këtë takim.

-         Takimi i radhës do të luhet për Kupën e Shqipërisë ndaj Vlorës në Skënder Halili, kur ndeshja e parë është fituar në tavolinë, pasi Vlora nuk kishte fushë ku të luhej kjo sfidë.

-         Në radhët e skuadrës nuk ka asnjë të dëmtuar, por të gjithë janë të gatshëm për takimet në vijim.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›