Rajoviç: Do tentoj gola të tjerë për këtë Flamurtar
Mbrojtësi malazez ka shënuar golin e parë me fanellën vlonjate, por më shumë i është gëzuar fitores së skuadrës
Flamurtari ka shënuar fitoren e dytë sezonale në superligë dhe këtë radhë përballë një prej ekipeve që në nisje të sezonit futbollistik është rreshtuar mes pretendentëve, pikërisht Kastrioti. Duket se rikthimi i Flamurtarit në shtëpi ka rezultuar me fat, ndërsa fitorja përballë Kastriotit është quajtur plotësisht e merituar. Një fitore e gatuar fillimisht nga mbrojtësit, duke treguar se deri tani lojtarët në këtë repart kanë qenë decizivë në lojën e tyre.
Mbrojtësi malazez Bllazho Rajoviç është një nga futbollistët e afruar gjatë merkatos verore në Vlorë dhe të paktën me lojën që ai ka zhvilluar është quajtur një nga afrimet më të mira të realizuara në radhët e Flamurtarit. Rajoviç ka shënuar golin e parë për Flamurtarin në sfidën e së dielës, por ka goditur edhe shtyllën. Vetë ai ka pranuar se është një fitore që ka ardhur në kohën dhe momentin e duhur.
Më vjen mirë që jam një prej autorëve të golave, por mbi të gjitha jam i kënaqur që jemi kthyer të realizojmë një fitore të tillë pikërisht në stadiumin tonë. Prandaj them se tri pikët ndaj Kastriotit marrin më shumë vlera. Jemi ndier ndoshta pak në emocion rreth 30 minutat e para, por më pas kemi dominuar totalisht ndaj kundërshtarit dhe këtë e tregon edhe kronologjia e ndeshjes.
Më pëlqen që në goditjet e këndit të jem pranë zonës kundërshtare dhe këtë e kam bërë edhe kur luaja për Vllazninë. Ndoshta do të tentoj sërish edhe në ndeshjet e ardhshme, pse jo, është një kënaqësi kur shënon për ekipin që luan dhe mendoj se golat janë pa dyshim kënaqësi për çdo futbollist, pavarësisht repartit ku luan, thekson Rajoviç.
Ambientimi Më duhet të them se jam i kënaqur që gjendem në Vlorë, në një qytet të bukur dhe në një skuadër mjaft cilësorë. Më vjen keq që kemi pësuar golin në fund, por ishte thjesht një mosmarrëveshje, gjëra të tilla nuk do të ndodhin më. Flamurtari pretendent? Unë e mendoj kështu, por java e ardhshme do të përcaktojë shumë, luajmë në Tiranë dhe është një takim mes ekipesh rivalë, megjithatë Flamurtari do të jetë në vijën e parë të skuadrave në superligë.
Fitorja përballë Kastriotit ishte plotësisht e merituar, por tashmë e lënë pas, nuk duhet të kthehemi në atë që ka përfunduar. Besoj se janë tri pikë që do të na shërbejnë mjaft për ndeshjen e ardhshme, ndërsa edhe loja e zhvilluar nga Flamurtari tregoi se jemi ekip që edhe në Tiranë do të kërkojmë maksimumin në fushën e lojës. Do të shënoj sërish Rajoviç? Të shohim, në fillim më duhet të mbroj për të mos pësuar, kjo është detyra ime kryesore, – përfundon qendërmbrojtësi malazez i Flamurtarit, Bllazho Rajoviç.
Lutaj: Sulmi sa nisi, do ketë të tjerë gola
Sulmuesi Vilfor Hysa zhbllokon sulmin e Flamurtarit. Nga pesë golat e realizuar deri tani në kampionat nga ekipi vlonjat, vetëm një i shënuar nga Hysa në ndeshjen e fundit i takon një sulmuesi. Pikërisht mbrojtësi Franc Veliu është golashënuesi më i mirë për vlonjatët deri tani me dy gola, por trajneri Lutaj shpreson se rikthimi te goli i Hysës do të zhbllokojë në ndeshjet e tjera edhe sulmuesit që ai ka në dispozicion.
Lutaj ka saktësuar se tashmë pret që në ndeshjet e tjera sulmuesit e Flamurtarit të jenë decizivë në lojën e tyre dhe të jenë pikërisht këta të fundit që do të përcaktojnë fatet e një ndeshjeje për Flamurtarin. Më kënaq goli i Hysës, por sulmuesit do të kthehen të shënojnë, do ta shihni në ndeshjet e ardhshme.
Tashmë kemi edhe një forcë më shumë në sulm, si serbi Brkiç, dhe kjo u pa edhe ndaj Kastriotit në fushën e lojës. Kanë shënuar mbrojtësit, edhe ata janë pjesë e ekipit dhe luajnë për fitoren e Flamurtarit. Por tashmë kam në dispozicion sulmues mjaft të mirë, si Hysa, Shehaj, Idrizi dhe Brkiç, lojtarë nga të cilët mendoj se Flamurtari do të marrë më të mirën në ndeshjet e ardhshme.
Ndërsa bullgari Draganov ka pësuar një dëmtim dhe mungesa e tij do të jetë e gjatë. Të shohim nëse do të vijojë të japë kontributet e tij për Flamurtarin, – citon trajneri vlonjat.
