Vllaznia, fitorja i heq presionin dhe sheh për të tjera sfida
Kuqeblutë kanë përmbysur edhe kësaj radhe në Loro Boriçi, duke u kthyer edhe entuziazmin të gjithë tifozëve shkodranë
Fitorja ndaj Teutës, e kemi thënë, që do të vlente më shumë se tri pikë. Më shumë se renditja (tashmë Vllaznia është me pikë të barabarta me pretendentet e tjera) e rëndësishme është që skuadra ti lërë problemet që ka pasur. Themi probleme, sepse kështu është thënë gjatë gjithë javës në media, por këtë gjë e ka pohuar me gojën e tij pas ndeshjes ndaj durrsakëve edhe trajneri Josa, që ka thënë:
Fitoren ua dedikoj djemve që luajtën dhe dhanë më të mirën e tyre në këtë ndeshje, ndonëse nuk ishte e lehtë ta bënin këtë gjë. Janë stërvitur në kushte jo të mira, nën një presion jonormal për një skuadër futbolli. Edhe para ndeshjes me Laçin, edhe këtë herë para Teutës, dolën probleme të qena dhe të paqena dhe kjo ndikoi duke krijuar një atmosferë aspak të mirë në skuadër, megjithatë djemtë ia dolën ta kalojnë këtë situatë.
Që në Shkodër ka shumë presion, këtë e kemi ditur, por në fakt, gjërat kohët e fundit te Vllaznia nuk kanë shkuar mirë me ndryshimin e presidencës. Ardhja e drejtuesve të rinj është shoqëruar me jo pak probleme sa i takon mënyrës së pagesës apo dhe të ndonjë detyrimi të mëparshëm. Kjo situatë ka bërë që edhe Josa të mos e ndiejë veten mirë dhe këtu jo në aspektin personal. E ka thënë këtë gjë edhe të dielën, kur e ka quajtur fitore të vazhdimësisë atë për Teutën.
Ecuria Kjo ka qenë një fitore që vlen për vazhdimësinë. E them këtë jo në aspektin personal, por për atë të ekipit. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në pikëpyetje për të vazhduar punë me ekipin dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë edhe në të ardhmen, por problemet e tjera duhen sheshuar sa më parë. Duhet të jemi skuadër me gjithë kuptimin e plotë të fjalës për të menduar të gjithë për të, – ka deklaruar Josa.
Vllaznia në këtë mënyrë nis rrugëtimin e saj të pretendimeve, duke shpresuar se gjërat do të vijnë duke u rregulluar në të ardhmen. Ka ende probleme sa i takon funksionimit të lojës së saj, sepse sërish ka variacione, sipas pjesëve të ndryshme dhe ende nuk kemi parë një skuadër që luan futboll për 90 minuta të plota në fushë. Drejtuesit e rinj të klubit presin më shumë nga futbollistët, por për fat të mirë, ditët e fundit ata nuk kanë ushtruar presion mbi skuadrën.
Nuk ka pasur as takime me të dhe as ndonjë deklaratë që të shqetësojë ambientin. Në të tilla pozita, Josës dhe futbollistëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të bëjnë më të mirën në fushën e lojës dhe në stërvitje. Gjërat janë më se të qarta për të ardhmen. Duhet vazhduar në këtë mënyrë për të grumbulluar sa më shumë pikë që të gjithë të ndihen rehat.
Sinani, ja pse goleadori i duhet sërish ekipit
Në verë shumëkush mund të ketë menduar se vendimi i drejtuesve të kaluar të klubit për të mos rinovuar me Sinanin, ka qenë i drejtë. Dikush tjetër mund të jetë kënaqur që sulmuesi i njohur firmosi në ditët e fundit të merkatos edhe për një sezon tjetër me Vllazninë. Vioresin Sinani në fakt nuk ishte bërë për lëmoshë. Edhe kur hyri në fushë ditën e diel në ndeshjen me Teutën, ndokush mund të ketë thënë se Vllaznia sërish do pësonte gol.
Pat ndodhur kështu ndaj Thunit, por edhe në një apo dy ndeshje të tjera të sezonit të kaluar. Të gjithë gabuan. Me hyrjen në fushë të Sinanit, gjërat të dielën morën rrjedhë tjetër. Ai ka dhënë asistet e të dy golave të parë të skuadrës shkodrane dhe jo më kot, trajneri Josa ka nxituar ta përqafojë.
Po ashtu, të gjithë tifozët kanë bërtitur në kor Ujku, Ujku, që është edhe pseudonimi i tij. Kjo ndeshje tregoi edhe një herë tjetër se Sinani i duhet Vllaznisë. Madje është shembulli i mirë për të gjithë. Pavarësisht emrit të madh që ka, e pranon stolin dhe jep kontributin e tij atëherë kur duhet për skuadrën.
Sukaj: Nuk e kam mendjen te Këpuca e artë
Protagonist në golin e parë të Vllaznisë me goditjen me kokë të topit, që nuk u zotërua nga portieri durrsak dhe që shkoi tek Vajushi, i cili e dërgoi më pas në rrjetë, por më shumë Xhevahir Sukaj ka qenë protagonist te goli i dytë. Sinani i ka ulur topin dhe ka goditur fort me të majtën, ashtu siç di vetëm ai, duke e dërguar atje ku Rizvani nuk mund të shkonte.
Me 4 gola, sulmuesi 24-vjeçar shkodran rikthehet sërish në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë të kampionatit, së bashku me Inkangon e Kastriotit. Vetë Sukaj, pas ndeshjes, ka thënë se nuk e ka shumë mendjen te Këpuca e artë, por tek ecuria e skuadrës, kur thotë: Sinqerisht që nuk mendoj shumë se në cilën kuotë të golave të shënuar kam shkuar.
E rëndësishme është që shënova dhe kontribuova në fitoren e Vllaznisë edhe në këtë ndeshje ndaj Teutës, që ishte një kundërshtare shumë e vështirë. Sa për Këpucën e artë, nuk e kam shumë mendjen aty. Do vazhdoj të shënoj dhe kuptohet që nëse në fund do kem shënuar më shumë se gjithë të tjerët, do jetë një kënaqësi, por e rëndësishme është që Vllaznia të arrijë objektivat e saj.
