E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqo: Sejdini dhe gjyqtari provokuan tifozërinë beratase

Nga RUSHAN DOSTI

Administratori i Futboll Klub Tomori falënderon skuadrën për fitoren, por dënon veprimet e tifozërisë

Ndërsa Tomori ka marrë me meritë fitoren e parë në 3 javë të këtij kampionati, janë incidentet e ndodhura në stadium nga tifozëria beratase ato që kanë zbehur paksa shkëlqimin e kësaj fitoreje. Edhe pse të akuazuar si protagonistë të hedhjes së sendeve në fushë, këta të fundit kanë festuar në mënyrën e tyre fitoren e ekipit deri në orët e vona të natës, duke bërë xhiro me makinë në qytet.

Sipas tyre, futbollistët beratas kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, duke fituar me rezultatin e ngushtë 2-1 ndaj Dinamos. Nga krahu kundërshtar janë lëshuar akuza për incidente nga tifozëria, të cilat gjithsesi nuk kanë të bëjnë aspak me lojën e zhvilluar në fushë, e cila sipas të gjithë faktorëve menaxhues të këtij takimi, ka qenë mjaft korrekte.

E teksa dinamovitët kërkojnë që të fajësojnë beratasit për dhunë psikologjike dhe hedhje sendesh në fushë, nga kampi beratas përgjigjja vjen nëpërmjet gojës së administratorit të futbollit beratas, Polizoi Kuqo, i cili para këtij takimi është prezantuar zyrtarisht para stafit dhe futbollistëve dhe ka qenë njeriu me fat që ka sjell edhe fitoren e parë të skuadrës së tij.

Incidentet Ndihem mjaft mirë për tripikëshin. Jam ndier me fat që para këtij takimi jam prezantuar zyrtarisht si administrator i skuadrës së Tomorit, gjë që më obligon për më shumë përkujdesje ndaj këtyre djemve që sakrifikojnë aq shumë për të nderuar ngjyrat sportive të një qyteti. Njëherësh ndihem keq që futbolli ynë nuk po çlirohet ende nga shfaqje që nuk kanë të bëjnë me atmosferën festive të vetë futbollit.

E kam fjalën te veprimet e pajustifikueshme të disa tifozëve beratas, të cilët pa asnjë shkak ose arsye krijuan incidente të panevojshme, nëpërmjet hedhjes së sendeve në fushë, duke rrezikuar kështu dënimin e ekipit dhe klubit. Edhe pse trajneri Sejdini, për të cilin kam respekt, i ka ekzagjëruar disi këto raste, gjykoj se veprime të tilla nuk i shërbejnë askujt, aq më shumë një ndeshjeje futbolli.

Provokator i këtyre ngjarjeve kanë qenë vetë trajneri Sejdini, i cili në disa raste ka provokuar tifozët me shenja jo të denja për një trajner profesionist, dhe gjyqtari Sokol Çekaj, i cili ka anuluar një gol mjaft të bukur dhe të rregullt të realizuar nga Çaushaj, – ka thënë administratori beratas Polizoi Kuqo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›