Duro: Ska më gabime, rival potencial shoh vetëm Tiranën
Trajneri i kampionëve, Shpëtim Duro, analizon katër javët e para dhe thotë se te të tijëve u është kthyer besimi
Kanë kaluar ditë nga humbja e fundit, që pësoi Skënderbeu, ku kampionët janë dorëzuar për herë të parë në këtë sezon, në Laç, me rezultat 2-1. Kjo humbje e parë sezonale duket se është harruar nga të gjithë futbollistët dhe stafi teknik, pasi në deklarata të gjithë janë shprehur të bindur se Skënderbeu nuk do të gabojë më. Kjo për vetë faktin se formula e re e kampionatit me 26 javë nuk ua lejon një gjë të tillë.
Trajneri Njëshi i pankinës korçare, Shpëtim Duro, beson si asnjëherë tjetër se grupi nuk do të mund ta pranojë këtë vend të 10-të, që mban aktualisht Skënderbeu. Në një prononcim për Sportin shqiptar, ka qenë vetë Duro, që ka analizuar këto javë të para, teksa ka deklaruar: Normalisht, e pranoj se në katër javët e para nuk kemi arritur objektivin. I kishim menduar të fituara para kohe këto ndeshje, pasi me llogaritë e fillimit duhej ti kishim marrë të plota pikët.
Dy javët e para kanë qenë jo fort të mira për ekipin, ku loja u pasqyrua edhe në rezultat. Ndërkohë, në dy javët e tjera, në shtëpi ndaj Shkumbinit, dhe në Laç, kemi pasur rritje në lojë, madje mund të them se kemi filluar edhe të shënojmë. Por, në fund të fundit, Skënderbeut i duhen dhe i mungojnë pikët, ndërkohë që po të shikoni, ka ekipe pa shumë ambicie, që kanë marrë më shumë se ne.
Kishim menduar që në këtë moment të ishim në krye, por ja që realiteti flet ndryshe. Megjithatë, ndonëse nuk e kemi arritur kreun, jemi me fati se ekipet e tjera nuk janë shkëputur.
Optimizmi Përsa i përket ndeshjes së radhës me Kamzën dhe javëve në vazhdim, trajneri Duro Pohon: Gabime të tjera nuk na lejohen më. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët e dinë mire këtë gjë. Ne kemi shumë besim se qysh në ndeshjen e radhës do të kthehemi te fitorja. Nuk më interesojnë shumë ndeshjet e ardhshme, por më intereson për momentin vetëm Kamza.
Kanë qenë gabimet tona, ato që na kanë kushtuar deri tani, ndaj duhet të impenjohemi më shumë se 100 % në vazhdim. Kur të mbërrijmë te ndeshja me Teutën, pas dy javësh, apo me Tiranën dhe Flamurtarin, do të flasim ndryshe për këtë Skënderbe. Tani është radha të mendojmë dhe të karikohemi për sfidën më të afërt, me Kamzën.
Sulmi Reparti sulmues i Skënderbeut, me Xhafajn dhe Muzakën, akoma nuk po del te goli, por për Duron ky nuk është shqetësimi kryesor. Sigurisht, mua si trajner nuk më intereson shumë se kush shënon, por më intereson të shënojë skuadra dhe të fitojmë. Në këto dy javë të fundit e kemi bërë këtë gjë. Tre gola kemi shënuar ndaj peqinasve, dy ndaj Laçit, por njëri na u anulua pa të drejtë.
Sikurse e shihni, nuk janë pak gola. Normalisht, sulmuesit duhet të shënojnë më shumë, por për Xhafajn mendoj se është një ngërç psikologjik, që nuk po arrin të konkludojë te Skënderbeu. Unë ju garantoj se Muzaka-Xhafaj do të jetë një dyshe e spikatur në sulmin tonë, që do të dalë shpejt te goli dhe sdo të ndalet më,- vijon trajneri i Skënderbeut.
Rivalët Po ta mbani mend, në deklaratat e mia, përpara se të startonte ky kampionat, kam thënë se do të ketë shumë skuadra pretendente. Me çka treguar gara në 4 javët e para, më ka dale fjala. Por, për mua kampionati do të fillojë të marrë rrugë nga java e 8-të apo e 9-të. Vetëm atëherë do të duken qartë skuadrat që do të rivalizojnë për kreun. Sinqerisht, e pranoj që Tirana është momentalisht një skuadër shumë e mirë, që duhet vlerësuar maksimalisht nga të gjithë. Për të tjerat, le të presim, e mbyll prononcimin e tij Shpëtim Duro.
Kampionati për mua do të fillojë të marrë rrugë nga java e 8-të apo e 9-të. Vetëm atëherë do të duken qartë skuadrat që do të rivalizojnë për kreun. Sinqerisht, e pranoj që Tirana është momentalisht një skuadër shumë e mirë, që duhet vlerësuar maksimalisht nga të gjithë. Për të tjerat, le të presim
