E Diel, 1 Nëntor 2026

Josa: Tiranën e kemi mundur vjet, por kjo smjafton

Nga Gjergj KOLA

Pak vite më parë, bardheblutë qenë kthyer në gogol për shkodranët, por 2-3 vitet e fundit historia ka ndryshuar. Tani gogoli është Vllaznia për Tiranën

Me logjikën e thjeshtë, Vllaznia e ka radhën të fitojë në ndeshjen e javës së pestë të kampionatit, ngaqë këtë herë luan në Shkodër. Dhe sipas logjikës së rezultateve të deritanishme, kuqeblutë, duke fituar në Loro Boriçi dhe duke humbur në transferta, kanë krijuar njëfarë baraspeshe në këtë drejtim.

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, megjithëse ka dëshirë të jetë kështu (vetëm për ndeshjen e radhës), mendon se kjo logjikë nuk duhet të jetë përcaktuese për ecurinë e deritanishme të skuadrës së tij, apo edhe për të ardhmen. Nëse është kjo logjikë, fitojmë brenda dhe humbim jashtë, i bie që ndaj Tiranës, meqë luajmë në Shkodër, të fitojmë, apo jo?

Do të ishte mirë kështu, tani për tani, sa i përket ndeshjes së radhës, pastaj të shihnim se çfarë do të bënim në javën e gjashtë, në Vlorë. Megjithatë, unë nuk e konsideroj logjikë të drejtë këtë, sepse Vllaznia hyn në fushë për të fituar në çdo ndeshje. Me këtë mendim dhe përkushtim do ta trajtojmë edhe sfidën e radhës ndaj Tiranës,- ka thënë Josa.

Por për të fituar duhet shumë punë e djersë, gjë të cilën trajneri i dalë nga bardheblutë edhe si lojtar e ka të qartë. Do të luhet ndaj 24 herë kampionëve të vendit, të cilët, pavarësisht problemeve, që thuhet se kanë, i kanë bërë një nisje shumë të mirë kampionatit, prandaj janë skuadra për tu mundur. Vllaznia, në fakt, në sezonin e kaluar, po nën drejtimin e Josës, nuk ka humbur në asnjërin prej tri takimeve që kanë luajtur kundër tyre.

Por vetë trajneri i kuqebluve nuk ka shumë dëshirë të ndalet te statistikat e mësipërme, prandaj shton: E kam të qartë se sezonin e kaluar kemi pasur rezultate pozitive me Tiranën, dy herë e kemi mundur dhe njëherë jemi ndarë në barazim. Kjo do të thotë se mund të fitojmë ndaj tyre, gjithsesi, nuk duhet tu besojmë statistikave dhe përballjeve të mëparshme.

Tani është tjetër histori, prandaj duhet tjetër angazhim ndaj kësaj skuadre. Ata vërtet janë në krye të renditjes, por kjo nuk do të thotë se janë të pathyeshëm. Javën e ardhshme, kur të luajmë ndaj tyre, kemi për të treguar se jemi të denjë për të rivalizuar me ta.

Tashmë gjërat janë të qarta. Paralajmërimi i trajnerit për të bërë kujdes maksimal në këtë ndeshje është dhënë prej ditësh. Skuadra kuqeblu po punon me intensitetin e duhur çdo ditë në stërvitje dhe premton se do të bëjë më të mirën fundjavën e ardhshme. Pak vite më parë, Tirana qe kthyer në gogol për shkodranët, por 2-3 vitet e fundit historia ka ndryshuar.

Tani gogoli është Vllaznia për Tiranën, nisur nga rezultatet e ballafaqimeve mes tyre në fushën e blertë. Megjithatë, janë dy skuadra të denja për njëra-tjetrën, të cilat i kanë dhënë gjithmonë bukuri futbollit shqiptar. Këtë gjë po bëjnë edhe tani, duke qenë sërish në elitën e tij.

2 Fitore ka marrë Vllaznia në tri ballafaqimet e sezonit që shkoi, me Tiranën, në kampionat, ndërsa një ndeshje tjetër mes tyre ka përfunduar në barazim. Kjo e fundjavës që vjen do të jetë përplasja e tyre e parë për sezonin e ri

6 Pikë ka Vllaznia e vendit të gjashtë në klasifikim, pas katër javëve të para të kampionatit, tri më pak se bardheblutë, që kryesojnë superligën, bashkë me Teutën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›