E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Flamurtari do ti vlerësojë njësoj të gjithë kundërshtarët

Nga ELTON NIKA

Trajneri vlonjat nuk e komenton çështje Brkiç, por kërkon që optimizmi i lojtarëve të kthehet në fitore në ndeshjen e sotme në Durrës

Ndeshja e dytë e këtij kampionati për Flamurtarin është një përballje jo e lehtë në transfertë, kur dihet se sot nën dritën e projektorëve vlonjatët do të ndeshen me Teutën në Durrës. Një ndeshje që ka shumë ditë që flitet në Vlorë, por në këtë mes trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, ka kërkuar nga futbollistët e tij të mos tregohen euforikë në deklaratat e tyre, por të mendojnë për përballimin me sukses të kësaj ndeshjeje shumë të rëndësishme.

Duke dashur të mos prekë shumë çështjen Brkiç, trajneri i Flamurtarit ka theksuar se synimi është vetëm ndeshja e radhës në Durrës dhe më pas të mendohet për çështje të tjera. Dëshiroj që ndaj Teutës të realizojmë një ndeshje të bukur, por edhe të marrim maksimumin nga kjo përballje. Unë vijoj të qëndroj në idenë se për të fituar, duhet edhe të luash një ndeshje cilësore, ndaj më duket se nuk kanë shumë vend deklaratat euforike, por paraqitja e futbolistëve në fushën e lojës.

Ndaj në ndeshjen e radhës ndaj Teutës duhet të luajmë futbollin që kërkohet nga Flamurtari dhe pastaj ta shoqërojmë atë edhe me rezultat. Fakti është që kundërshtarin e kësaj jave e njohim disi më shumë, pasi kemi zhvilluar edhe një ndeshje miqësore përballë tyre gjatë muajit gusht, megjithatë një ndeshje miqësore ndryshon shumë nga një ndeshje e vërtetë e futbollit në kampionat, thekson trajneri Lutaj.

Vlerësimi Duhet të kuptojmë se nuk ka ekipe të lehta apo të forta, por vlerësimi do të jetë i njëjtë për të gjithë kundërshtarët. Teuta ka arritur fitore në javën e parë dhe vjen në këtë përballje me Flamurtarin me shumë besim, ndaj mendoj se do të jetë një përballje shumë e vështirë për ne, por edhe për kundërshtarin. Ekipin e kam mirë në stërvitje dhe besoj se jemi në gjendje të dhurojmë një ndeshje cilësore në Durrës.

Fakti që do të luajmë në një stadium si ai i Durrësit dhe me drita, do të sjellë në shkallët e stadiumit edhe shumë sportdashës, ndaj këta të fundit presin një ndeshje të bukur. Le tu dhurojmë këtyre një ndeshje cilësore, por duke menduar edhe për rezultat. Unë pres që optimizmi që ndoshta është krijuar te futbollistët, të shaqet veç në fushën e lojës dhe të shndërrohet në fitore për Flamurtarin, – ka përfunduar trajneri Edmond Lutaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›