E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia... 5 gola që nuk përkthehen

Dëgjoni fjalët e trajnerit Mema pas ndeshjes goleadë me shkodranët: "Nuk jam aq naiv sa të mos kuptoj që Vllaznia e dorëzoi ndeshjen, sidomos në pjesën e dytë. Sigurisht, në Kupë nuk do të jetë piknik si këtë herë". Por çfarë ndodhi që shkodranët pësonin gola dhe nuk turpëroheshin? Disa thonë se kjo humbje e thellë kërkon të vërë në gjumë Tiranën kur dy ekipet të përballen në finalen e Kupës? Një version tjetër është se edhe ndeshja e fazës së parë më shumë ishte teatër, ku bardheblutë morën 4 gola dhe humbjen më shumë e faturuan donatorët se sa trajneri i atëhershëm, Hafizi...

Sikur të besonim në fjalët e trajnerit Sulejman Mema pas ndeshjes: "Meritë kanë të gjithë futbollistët, por në veçanti Klodian Duro". Kjo do të thotë se flamuri i paqes me futbollistin e tij më të rëndësishëm Duron, është valëvitur. Disa javë më parë trajneri kishte kërcënuar mesfushorin: "Do të shohim se cili është më i rëndësishëm për ekipin". Por "revolucioni" i premtuar i trajnerit bardheblu ka mbetur shumë pas dhe kampionët festojnë edhe kur kundërshtarët dhurojnë. Më e bukur bëhet kronika e kësaj ndeshjeje, kur në fund, trajneri Haxhisomanoviç braktis konferencën për shtyp. Arsyeja duket mjaft bindëse për një trajner të huaj: nuk kishte përkthyes! Edhe kur Flamurtari pësoi 6 gola nga Partizani, përsëri ishte përkthyesi që e la në baltë trajnerin.

Trajnerët e bekuar nga presidentët duken sikur nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë. Shembulli më i qartë është trajneri Daja i Dinamos. Ai që kërkoi arbitër të huaj për ndeshjen në Peqin, arrin të mrekullohet pas 90 minutave: "Do të ishte mirë që edhe klubet e tjera të organizonin ndeshjet si Shkumbini!" Hipokrizi dinamovite ndaj një ekipi që më shumë ka shkaktuar frikë për kundërshtarët se sa mbresa për organizimin e ndeshjeve. Por në javët e fundit të kampionatit menyja e mëkateve është ndjellëse. As Lika e as Daja nuk guxuan të thoshin se ndeshjet e tyre në Elbasan dhe në Peqin ishin peng i njëra-tjetrës. Ndaj edhe duket normale kur të dyja ndeshjet filluan dhe mbaruan me vonesë. Komedia do të ishte bërë e plotë sikur Partizani të shënonte gol në "Ruzhdi Bizhuta" në minutën e fundit. Në këto momente duket sikur luajnë më shumë presidentët se sa futbollistët. Secili prej tyre mban në dorë kalendarin e ndeshjeve të mbetura, ku disa prej tyre kanë mbaruar ende pa filluar, kurse disa të tjera duhen luajtur me të vërtetë. Prandaj edhe presidenti i Besës, Bizhdili shkon tej, disa javë, kur do të luajë me Dinamon: "Atë ditë do të jetë futbolli i vërtetë. Po na mundën, le të dalin kampion...".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›