E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro i "fal" derbin Partizanit

Derbi kryeqytetas ka folur përsëri për Partizanin, që ka marrë tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull pas fitores 2-1 në atë që cilësohej si ndeshja më e vështirë e sezonit. Ka qenë një takim plot emocione, ashtu siç duhet të jetë një derbi i vërtetë, duke kthyer në stadium entuziazmin e tifozëve që kishin munguar prej kohësh. Ashtu si në fazën e dytë, Partizani ka dominuar takimin, por ka pasur edhe ndihmën e Tiranës, pasi Sina është ndëshkuar me karton të kuq që në pjesën e parë dhe më pas Duro ka humbur 11-metërshin që mund ta çonte sfidën në shifrat 2-2.

Takimi ka filluar me Partizanin që është shfaqur mjaft agresiv, duke kërkuar menjëherë golin e avantazhit ndaj Tiranës që shfaq probleme të dukshme në prapavijë. Që në minutën e 10-të, Babamusta ka mundësi të kalojë në avantazh të kuqtë pas një harkimi të Shkëmbit, por topi përfundon mbi traversë. Pak minuta më vonë është Dhëmbi që provon të shënojë nga distanca pas një daljeje të pasigurt të portierit Osmani, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën. Mesfushori i Partizanit "hakmerret vetëm pak minuta më vonë, kur shfrytëzon një goditje dënimi të Shkëmbit për të dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë. Pas avantazhit, Partizani tërhiqet, duke i lëshuar shumë terren Tiranës që rrezikon me inkursionet nga krahët të Hykës e Fortuzit. Por janë përsëri të kuqtë ata që krijojnë dhe shpërdorojnë raste. Në minutën e 31-të, një gjuajtje me kokë nga Babamusta ndalet nga traversa, ndërsa më pas është Bakaj që nuk arrin të devijojë topin në portë. Sikur të mos mjaftonte ky dominim në raste i të kuqve, Sina ndëshkohet me karton të kuq që në minutën e 41-të, pas një faulli të qëllimshëm ndaj Bakajt, duke lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak. Ndeshja tensionohet, pasi lojtarët e të dy skuadrave nuk kursejnë ndërhyrjet e rënda ndaj njëri-tjetrit, por gjithsesi, pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Partizanit. Por me kthimin e skuadrave në fushën e lojës, Tirana ndryshon krejtësisht duke u bërë shumë më agresivë në lojën e saj dhe duke vënë në vështirësi kundërshtarët. Në minutën e 52-të, Duro harkon në zonë për Xhafajn që i shpëton mbulimit të mbrojtjes dhe shënon golin e barazimit me një gjuajtje perfekte me kokë. Bardheblutë duket se nuk e vuajnë inferioritetin numerik dhe fillojnë të krijojnë raste të njëpasnjëshme, si ai i minutës së 58-të kur Hyka shfaqet para Shehit, por e dërgon topin jashtë. E ndërsa pritet një gol i Tiranës, është Partizani që shënon, këtë radhë me Bakajn që devijon me kokë në portë një tjetër harkim të Shkëmbit. Në minutën e 71-të, bardheblutë kanë mundësinë të vendosin baraspeshën në shifra pas 11-metërshit të fituar nga Xhafaj. Por Duro gabon si rrallëherë nga pika e bardhe duke u hipnotizuar nga Shehi që bllokon gjuajtjen e tij. Partizani mundohet të mbyllë ndeshjen me Shkëmbin, Dhëmbin e Bakajn, por Osmani reagon mirë duke shpëtuar portën e tij. Rasti i fundit është i Tiranës me anë të Xhafajt, që gjuan nga jashtë zonës me të majtën, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën, duke vulosur fitoren 2-1 të Partizanit ndaj rivalëve historikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›