E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamovitët, nuk bëjnë hapa falsë

Dinamo fiton 3-1 me Elbasanin dhe vazhdon të ruajë kreun. Tri pikët përballë verdhebluve ishin një detyrim për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja, megjithatë ndeshja ka rezultuar me e lehtë nga sa mund të parashikohej në letër. Në praninë e shumë pak tifozëve, blutë tregojnë që në fillim se nuk do t‘i lejonin vetes asnjë hap fals, e duke mbajtur veshët nga derbi Partizani-Tirana ata kanë sulmuar që në minutat e para. Në të pestën, Pejiç tenton të finalizojë një manovër mjaft të bukur të vendasve, megjithatë Toçi i ngushton rrezen e portës dhe zgjidh një situatë aspak komode. Elbasanasit reagojnë me Endri Dalipin, gjuajtja e të cilit gjen rezistencën e portierit Kotorri. Edhe pse kuptojnë se duhet të bëjnë kujdes nga kundërsulmet e kundërshtarëve, dinamovitët vazhdojnë të përqendrohen te sulmi dhe në minutën e 13-të Poçi shënon. Gjuajtja e mesfushorit fierak nuk i lë shpëtim "gardianit" verdheblu dhe topi përshëndet rrjetën. Rezultati dyfishohet në të 21-tën pas devijimit të saktë me kokë të Pero Pejiç, ndërsa pak çaste më parë gjuajtja potente e Pollozhanit ka shkaktuar drithërima në portën e Elbasanit. Shqiptaro-maqedonasi ka pasur edhe dy raste të tjera mjaft të mira për shënim, por nuk ka kalibruar si duhet gjuajtjet e tij. Reagimi i miqve është i dobët, megjithatë e tillë nuk është tentativa e Ahmatajt që me të majtën vë në provë Kotorrin. Pjesa e parë mbyllet me kryeqytetasit në sulm dhe me Pollozhanin që për pak centimetra shpërdoron edhe dy mundësi të tjera. Dominimi i të besuarve të Dajës konfirmohet edhe në çastet e para të fraksionit të dytë të lojës: në zhvillimet e një goditjeje këndi, topi shkon tek Allmuça që nga jashtë zone i ngre shifrat në 3-0. Pas tij gjuan edhe Pejiç, por festa e golit të dytë në këtë sfidë për kroatin shtatlartë prishet nga shtylla. Gjithsesi, duhet thënë se ndërrimet e kryera nga Alimehmeti në pjesën e dytë i kanë dhënë më shumë gjallëri lojës së elbasanasve, që kur kronometri shënonte 72 minuta lojë pretendojnë 11 metërsh me Ardian Nuhiun, por gjyqtari Albano Janku nuk ishte i të njëjtit mendim. Penalltia për miqtë është akorduar 6 minuta më vonë dhe përballë Kotorrit, kapiteni Ahmataj nuk gabon. Loja mbyllet me tentativën e Bodrusiç, ndërsa Dinamo tregon qartë se po të mos kishte "lëshuar" në Kupë përballë Vllaznisë, tashmë mund të ishte edhe një prej finalisteve të këtij trofeu. Gjithsesi, më e rëndësishme për blutë është ruajtja e kreut, ndërsa Elbasani largohet ndjeshëm nga "zona evropiane".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›