E Shtunë, 31 Tetor 2026

Julinda "zgjohet" nga ëndrra e "Big Brother"

Julinda Peshku, vajza 24 vjeçe nga Fieri ka lënë dje aventurën brenda shtëpisë së "Big Brother". Julinda, pas studimeve në fushën e Ekonomisë pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë ka zgjedhur të jetojë në kryeqytet. Ajo është punonjëse në një bankë në Tiranë dhe është një nga ato vajzat e cila e ka fituar pavarësinë e saj prej familjes, duke jetuar vetëm me të ardhurat e saj. Natyra e saj ndoshta pak larg profesionit të punës në bankë e bën Julindën një vajzë që pëlqen Rock Kaffe apo të ketë shpirtin e aventurës për kamping. Jo rrallëherë e kemi parë brenda shtëpisë të kërcejë që në momentin që fillon muzika. Është një vajzë që lexon dhe kohën e lirë jashtë punës ia dedikon çlodhjes totale me lexim apo dëfrim me miqtë më të afërt. Që prej kohësh, ajo ka ndjekur me shumë vëmendje këtë reality show të implementuar në vende të ndryshme të botës dhe "Big Brother" kishte qenë një ëndërr e hershme e saj. Aventura e saj brenda shtëpisë së "Big Brother" qe e mbushur plot situata të bukura. Brenda shtëpisë vajza krijoi më shumë miqësi me Besartën dhe të dyja gjatë ditës së djeshme e kanë ndier se njëra prej tyre mund të linte shtëpinë. "Ishte një eksperiencë e bukur", ka thënë Julinda pas daljes nga shtëpia bashkë me Rokon (arushin e saj).

Por ndërsa Julinda është "zgjuar" nga ëndrra dymujore e "Big Brother", dy banore të reja kanë hyrë për ta jetuar këtë ëndërr.

Ato janë Dorina dhe Jonida. Dorina studion në vitin e katërt dega Sociologji, është 22 vjeç dhe vjen nga qyteti i Korçës, ndërsa Jonida është 25 vjeç nga Tirana dhe ka mbaruar Gazetari.

Dy vajzat kanë hyrë në shtëpi me vezë të kuqe në duar, duke qenë se sot janë Pashkët. Arbana u kanë thënë banorëve të shtëpisë që nesër (sot) festohen Pashkët Ortodokse dhe që duhet të ndihen me fat që në Shqipëri ka një harmoni dhe tolerancë mes besimeve fetare dhe u thotë të shkojnë në kopsht, ku gjejnë vezë të kuqe gjigante.

Spektakli

Nuk kanë munguar surprizat edhe këtë të shtunë në spektaklin e "Big Brother". Në studio, për të diskutuar mbi atë çfarë kishte ndodhur gjatë javës në shtëpi, por dhe për banorët ishin ftuar skenaristi Armand Peza, këngëtarja Eneida Tarifa, si dhe miku tashmë i "Big Brother" regjisori Mevlan Shanaj, si dhe ish-banorët e shtëpisë më të madhe në vend. Java që shkoi ishte plot ritëm brenda shtëpisë. Romanca mes Olsit dhe Najadës, me festimin e njëmujorit të lidhjes së tyre, debate mes Olsit dhe Çimit, impenjimet për të realizuar detyrat e dhëna nga Vëllai i Madh, apo ankthi i dy shoqeve Besartës dhe Julindës pas kandidimit. Ethet e kandidimit në javën që shkoi i ka ndier dhe Olsi, që për herë të parë do të maste sa i pëlqyer ishte nga publiku, në do të ngelej sërish brenda shtëpisë për të vazhduar lojën. Të veshur si Cowboy Besarta duhet të gjuante me pushkë, ndërsa Astriti me pistoletë për të fituar 27 pikë. Ndërsa Najada dhe Arbri duhet të qëndronin 1 minutë mbi dem, gjë që nuk mundën t‘ia dilnin. Megjithëse Vëllai i Madh vlerësoi angazhimin që banorët kanë pasur gjatë javës me detyrat që u ka dhënë, ai e ka quajtur të pakaluar provën. Arbana ka diskutuar në studio romancën e lindur mes Olsit dhe Najadës, me Eneida Tarifën, e cila nuk ka mohuar faktin se mes tyre mund të ketë lindur një ndjenjë e vërtetë, pavarësisht lojës.

Vetë Olsi, gjatë spektaklit, kur Arbana e pyeti se për çfarë do t‘i vinte keq nëse do të dilte nga shtëpia, ai iu përgjigj se "Për Najadën", pasi nuk donte që lidhja e nisur të përfundonte kështu.

Surpriza për Çimin

Kjo e shtunë ishte vërtet befasuese për Çimin. Ndryshe nga "shakaja" që Vëllai i Madh bëri me të javë më parë, këtë herë ai kishte vendosur t‘i jepte Çimit 1 minutë kohë për të ndenjur me dy fëmijët, Aldën dhe Rein. Arbana e dërgon Çimin në kopsht, ku gjen një organo dhe një shënim: "Babi shko në dhomën e rrëfimit menjëherë". Çimi vrapon në dhomën e rrëfimit ku gjen dy fëmijët. Ky ishte një moment shumë emocionues i spektaklit, ku pas dy muajsh brenda Çimi pati mundësi të përqafohej me dy fëmijët e tij.

Në Bari, në shtëpinë e Arbrit

Këtë javë, gazetari Eno Popi kishte udhëtuar përtej Adriatikut për të treguar pak më tepër nga jeta e Arbrit. Në familjen e Arbrit në Bari, ai ka përcjellë për shikuesit emocionet e prindërve dhe motrës së tij, mbi mënyrën sesi e shihnin Arbrin.

Lidhur me faktin që Arbri ka deklaruar se do t‘i dhurojë për bamirësi 50 mijë eurot, në rast se do të fitojë "Big Brother", babai i tij tha se kjo është brenda karakterit të Arbrit. Ai është nga ata të rinj që besojnë në një Shqipëri që mund të ndryshohet, pasi është rritur me një dashuri të madhe për vendin e tij, dhe nëpërmjet këtij veprimi në rast se do të fitojë do të japë një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij, por dhe për politikën dhe çdo njeri, se mjafton pak besim që gjërat të mund të ndryshojnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›