E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë dy ditore për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm rajonal në Shqipëri

Nxitja e turizmit rajonal dhe shkëmbimi i përvojave të arritura deri tani janë në qendër të konferencës dyditore "Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm rajonal në Shqipëri", që nisi punimet dje në qytetin e Korçës. Konferenca ka filluar punimet me një interesim të gjerë të aktorëve të interesuar për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm rajonal, duke synuar që nëpërmjet programeve që do të bëhen të njohura në të, të shndërrojnë rajonin e Korçës në një destinacion turistik. "Konferenca ka si qëllim paraqitjen e programit "Zhvillimi dhe menaxhimi i destinacionit turistik, rajoni Korçë", tha zëdhënësja e Këshillit të qarkut të Korçës, Eva Mullalli. Sipas saj, programi mbështetet nga Fondacioni për turizmin e qëndrueshëm dhe eliminimin e varfërisë ST-EP në partneritet me Organizatën Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara UNËTO dhe Organizatën Holandeze për Zhvillim SNV. Në këtë konferencë, do të paraqiten rezultatet paraprake të studimit për zhvillimin e tregjeve dhe produkteve turistike për rajonin e Korçës, të kryer nga dy konsulentë britanikë. Gjithashtu, disa nga aktorët më të rëndësishëm që veprojnë në sektorin e turizmit si Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, GTZ-ja gjermane, USAID, Universiteti Europian i Turizmit në Tiranë, Shoqata e Guidave Turistike, Shoqata Kombëtare e Turizmit, përfaqësues të Këshillave të qarqeve Elbasan dhe Korçë do të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe do të diskutojnë faktorët, që e bëjnë një destinacion turistik të suksesshëm. "Këshilli i qarkut të Korçës ka punuar gjatë tre viteve të shkuara për të zhvilluar potencialin turistik të rajonit. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar katër strategji të turizmit vendor në zonat e Kolonjës, Prespës, Pogradecit dhe Korçës, duke shfrytëzuar procesin e planit të veprimit në turizëm të Organizatës Holandeze për Zhvillim SNV dhe ekspertizën këshilluese", sqaroi zëdhënësja e Këshillit të qarkut të Korçës, Mullalli. "Duke iu përmbajtur filozofisë së zhvillimit të turizmit të Fondacionit ST-EP, UNWTO dhe SNV, pritet që procesi i zhvilluar në drejtim të turizmit për rajonin e Korçës të përsëritet në rajone të tjera të Shqipërisë", tha Mullalli gjatë ditës së parë të punimeve të konferencës për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm rajonal në Shqipëri. Sipas saj, kjo do të çonte në tërheqjen e një numri më të madh turistësh të huaj dhe vendas, dhe më e rëndësishmja do të siguronte përfitime ekonomike dhe sociale për qytetarët në Shqipëri dhe veçanërisht në zonat rurale. Përfaqësues të organizatës Botërore të Turizmit, të Organizatës Holandeze për Zhvillim dhe të MTKRS-së theksuan në fjalët e tyre të përshëndetjes potencialin e jashtëzakonshëm turistik të vendit tonë dhe në veçanti të rajonit të Korçës, duke shprehur mbështetjen e projekteve për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit rajonal. Sot në ditën e dytë të punimeve të kësaj konference do të diskutohet në panel çfarë përbën një destinacion turistik rajonal i suksesshëm dhe si të arrijmë aty. Disa nga moderatorët që do të diskutojnë në këtë panel janë Prof. Salavtore Messina, Rektor i Universiteti Europian të Turizmit në Tiranë, Marcel Leijzer, nëndrejtor i Departamentit për Zhvillim nga Organizata Botërore e Turizmit etj....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›