Duro, zyrtarisht tek Apollon Limasol
Klodian Duro është zyrtarisht lojtar i Apollon Limasolit. Klubi qipriot ka njoftuar arritjen e akordit me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, i cili do të luajë në stadiumin "Tsirion" për dy vitet e ardhshme. Skuadra e qytetit bregdetar ishte kandidatja më e fortë për të siguruar shërbimet e 31-vjeçarit, sepse kushërinjtë-rivalë të AEL-it u tërhoqën nga gara vetëm pak kohë më parë. Në këtë mënyrë, Duro i ka dhënë fund aventurës te Omonia Nikosia, pavarësisht se kishte edhe një vit të mbetur në kontratë. Kuqeziu, që përpara aventurës në kampionatin qipriot ka luajtur me Elbasanin, Vllazninë, Partizanin e Tiranën në Kategorinë Superiore në Shqipëri, Samsunspor, Malatiaspor e Rizespor në Turqi dhe gjermanët e Arminia Bielefeld, do të mbajë fanellën me numrin 11 tek Apolloni.