Lika: Do të shënojmë gol edhe në Vjenë
Më pak se 24 orë na ndajnë nga ndeshja e parë Rapid Vjena-Vllaznia, e vlefshme për turin e dytë të Europa League. Pasi ka dëgjuar komentet e trajnerit të rivalëve, Hasan Lika i është kundërvënë Peter Pakultit në lidhje me gjykimet për Vllazninë dhe ka theksuar se shkodranët do të shënojnë gol në Vjenë. "Normalisht trajneri i Rapidit e ka ndjekur me vëmendje takimin e kthimit të Vllaznisë në Shkodër ndaj Sligo Rovers. Unë nuk jam dakord me atë çfarë ka deklaruar ai. Skuadra shkodrane ka sulmues, madje shumë të mirë. Vërtet janë sulmuesit ata që finalizojnë aksionet, por e gjithë puna kryhet në kolektivitet, që nga mbrojtja e deri te reparti i sulmit. Besoj se në Vjenë do të jemi përsëri ne që do të shënojmë", ka deklaruar trajneri i shkodranëve, i cili ankohet se ka pasur pak informacion për kundërshtarin.