E Shtunë, 31 Tetor 2026

G8 ka vdekur

Demokracia nuk vlen aq shumë tani. As liria. Dhe të drejtat e njeriut e kanë humbur të drejtën e tyre si një vlerë universale. Kjo gjë, në një guacë, është rezultati i Samitit të G8-ës në qytetin italian të L‘Aquilas javën që shkoi. Ishte një ceremoni varrimi: G8 ka vdekur, së paku si një forum i udhëheqësisë globale. Tani është katandisur mezi në një dyqan shitjeje të fjalëve për kryetarë dhe qeveri të caktuara.

Vendimet e rëndësishme po merren tjetërkund, në G20, për shembull. Duhet pranuar se kjo është më e drejtë, sepse do të thotë që shtetet e botës në ngritje e sipër gjithashtu po përfaqësohen. Por, megjithatë është pikëllueshëm. Në thelb, G8 përfaqëson vlerat e Perëndimit. SHBA-ja, Kanadaja, Gjermania, Franca, Britania, Italia dhe Japonia të gjitha qëndrojnë për principin e demokracisë. Rusia zvarritet aty gjithashtu. Pavarësisht nga dobësitë, është një klub i mirë. G20 nuk do të pranojë më shtete europiane. Gjatë një takimi në Uashington, Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, me ashpërsi pyeti se çfarë po bënte Spanja aty e ulur në tryezë. Spanja nuk do të jetë prezente në takimin e ardhshëm të G20-ës në Pitsburg. Në vend të saj, aty do të jenë Turqia dhe Indonezia. Këto nuk janë demokraci pa të meta, por janë shtete me popullatë të madhe. Dhe në të ardhmen ajo që do të ketë rëndësi janë numrat e jo vlerat. Apo, ashtu si tha një këshilltar i Kancelares gjermane, Angela Merkel, në L‘Aquila: Vlera e re quhet ‘mbijetesa e përbashkët‘.

Temat kryesore të samitit ishin klima, uji dhe ushqimi. Toka ka më shumë popullsi sesa mund të mbajë, andaj fokusi i politikës botërore po lëviz drejtë popullatës. Këta më nuk shihen si krijesa që kryesisht kanë nevojë për edukim, liri, demokraci dhe të drejta të njeriut. Ata tani po shihen si krijesa të cilat harxhojnë tepër ujë dhe emetojnë tepër dyoksid të karbonit në atmosferë. Tashmë nuk është pyetje e çlirimit, por e vënies së kufijve. Si pasojë e kësaj, Perëndimi tani nuk i sheh kinezët kryesisht si viktima të shtypjes, por si pjesërisht të përgjegjshëm për shkatërrimin e klimës. Kur është çështja te mbijetesa e përbashkët, kinezët nevojiten urgjentisht dhe kjo i jep qeverisë në Pekin plot fuqi. Një marrëveshje efektive për klimën është e pamundur pa përkrahjen e tyre dhe kriza globale financiare nuk mund të tejkalohet pa ndihmën e tyre. E njëjta është e vërtetë edhe për indianët, brazilianët, afrikano-jugorët dhe meksikanët. Së bashku me Kinën, këto shtete e përbëjnë G5-shin, të cilët u takuan me G8-ën në L‘Aquila.

Për herë të parë, të dy grupet e dhanë një deklaratë të përbashkët. Sidoqoftë, fjalët "demokraci" dhe "të drejtat e njeriut" nuk shfaqen në dokument. Vuajtjet e uigurëve në Kinë gjithashtu nuk u diskutuan gjatë samitit. Tradicionalisht demokracitë kanë pasur mision që të përhapin demokracinë dhe me të lirinë dhe të drejtat e njeriut. L‘Aquila ka treguar se ky mision në këtë moment është në një gjendje të mjerueshme. Ishin shtetet në ngritje e sipër ato të cilat i bënë kërkesat gjatë samitit. Shtetet e industrializuara duhet me mirësi të bëjnë hapin e duhur dhe të adaptojnë caqe klimatike me afat të mesëm, ato argumentuan, në fund të fundit, këto shtete ishin përgjegjëse për ndezjen e katastrofës pikësëpari. Nëse vetëbesimi i indianëve dhe i kinezëve vazhdon të rritet, madje edhe Gjermania mund ta gjejë veten një ditë duke u pyetur se çka është duke bërë në tryezën e samitit.

Nuk mjafton që thjesht të mbështeten në SHBA-në. Politikat e këtij shteti i përcjellin ligjet e perandorive. Madje edhe Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, po kërkon një ekuilibër me rivalin e SHBA-së, Kinën, në formën e një G2-shi. Bashkimi Europian do të ishte në pozitë të veprojë kundër venitjes së vlerave perëndimore dhe ndikimit europian në politikat botërore, po të kishte qenë në një gjendje më të mirë. Deri atëherë, shtetet komb duhet të marrin përsipër përgjegjësinë. Heshtja në L‘Aquila mbi çështjen e uigurëve ishte e turpshme, por gjithashtu nuk është e mjaftueshme që vetëm ndonjëherë dhe me hezitim të shtyhet Kina që të respektojë të drejtat e njeriut. Nëse Perëndimi dëshiron t‘i përhapë vlerat e tij, duhet gjithashtu të tregojë se ia vlen t‘i kesh këto vlera.

Ndaj kjo tashmë nuk është çështje e të drejtave të njeriut, por e dobisë së tyre. Më shumë se kurrë, Perëndimi duhet të dëshmojë se njerëzit të cilët e kënaqin lirinë dhe nuk jetojnë në frikë mund të krijojnë një sistem më të mirë të edukimit, programe më të mira të reduktimit të CO2 dhe teknologji më të mirë. Kur të gjitha tregohen, ata e kënaqin një jetë më të mirë, gjersa ende e garantojnë mbijetesën e përbashkët tejet të rëndësishme. Kjo është një gjë e cila mund t‘i bëjë kinezët të mendojnë dy herë dhe t‘ua sigurojë europianëve një vend në tryezat e samitit të kësaj bote.

Marrë nga "SPIEGEL Online"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›