E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Kujtim Majaci, legjenda e futbollit fierak

Ka ndërruar jetë në plazhin e Semanit në moshën 47-vjeçare Kujtim Majaci, ose siç e quanin ndryshe, "Legjenda e futbollit fierak". Ai ka qenë në mesditë në plazhin e Semanit me të afërm të tij. Sipas burimeve nga policia e Fierit dhe Spitali Rajonal Fier, mësohet se Majaci, pasi kishte luajtur futboll me disa të njohur, është futur më pas në det. Teksa ka bërë disa hapa, Majaci është përplasur me sipërfaqen e ujit. Të afërmit që kishin qenë pranë tij e kanë marrë menjëherë dhe me automjet e kanë nisur me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Edhe pse ekipi mjekësor i këtij spitali është munduar që t‘i japë ndihmën e parë, gjithçka ka qenë e kotë. "Ai ka ndërruar jetë shumë minuta para mbërritjes në spital. Majaci gjeti vdekjen si pasojë e një goditjeje në zemër, infarkt i miokardit", pohuan mjekët e spitalit për median. Majaci (me origjinë nga Kosova) spikati në rrugicat e lagjes ku banonte e më pas në ekipet zinxhir. Paraqitja e tij ra në sy të trajnerëve të të rriturve të Apolonisë dhe në fillimin e vitit 1980 u mor në ekipin e parë që luante në Kategorinë e Dytë. Shumë shpejt ai arriti të fitojë zemrat e tifozëve fierakë. Në 1985, Apolonia ngjitet në elitë, ku Majaci shpërthen në sezonin e parë, duke u shpallur golashënuesi më i mirë me 20 gola, një rekord i ri për kohën. Me Kujtimin në krye të sulmit, Apolonia arrin suksese të njëpasnjëshme. Majaci më pas do të grumbullohej për 10 vjet rresht në ekipet Shpresa dhe Kombëtare. Pas qindra golave në karrierë në moshën 31-vjeçare, i tha lamtumirë futbollit të luajtur, duke lënë të shkruar me germa të arta emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar. Ndërsa dje, jeta i tij u ndërpre në mes nga një infarkt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›