E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, sot luhet shansi i parë

Tirana do të zbresë sot në fushë për t‘u përballur në ndeshjen e parë ndaj norvegjezëve të Stabaekut, e vlefshme për turin e dytë të Champions League. Nis këtu prova e parë për një nga premtimet e kryedonatorit Refik Halili, për "një Tiranë të madhe në Kupat e Europës, e cila do të kalojë më shumë ture se sa deri tani". 24 orë para ndeshjes, trajneri Ilia Lonçareviç ka zhvilluar një stërvitje me dyer të mbyllura, ku ka bërë ekzaminimet e fundit në prag të ndeshjes së sotme në orën 20:00 në "Qemal Stafa". Largimi i kroatit Toni Pezos, po edhe mungesat e Ansi Agollit (i larguar drejt Krivbasit të Ukrainës) në mesfushë dhe Migen Memellit (të dëmtuar) në sulm, kanë lënë një boshllëk jo të vogël te bardheblutë. Kjo e vështirëson disi situatën në këtë pragndeshje ndaj norvegjezëve, jo shumë i njohur në arenën europiane dhe me pak përvojë ndërkombëtare, por që shikohen si favoritë nga shoqëritë e basteve. Megjithatë bardheblutë duket se i kanë marrë masat dhe për momentin mes tyre mbretëron optimizmi. Muka e Devolli theksojnë se presin "një ndeshje të vështirë sot, por besojmë se do të kalojmë në turin tjetër". Këtë shans të parë, Tirana nuk duhet ta humbë kurrsesi. Skuadra e Stabaek ka zbarkuar dje në Shqipëri rreth orës 15.30 dhe janë akomoduar në hotel "Rogner". Norvegjezët, me të mbërritur në Shqipëri, kanë filluar të shqetësohen për të nxehtin. Temperatura ka qenë rreth 33 gradë, ndërsa nesër pritet të rritet edhe më shumë. Megjithatë për t‘i qetësuar futbollistët e tij ka menduar trajneri Jan Jonsen, i cili ka theksuar se "edhe në Norvegji ka mbajtur nxehtë kohët e fundit, ndaj besoj se nuk do të jetë problem për ne. Tifozët kundërshtarë do të na karikojnë më shumë. Skuadra ka fituar qëndrueshmëri në lojë. Të dërguarit tanë e kanë parë Tiranën në aksion dhe kemi një ide se çfarë kualiteti kanë kundërshtarët. Dimë diçka, por nuk është se dimë shumë. Ata kanë një skuadër që punon mirë me topin. Ne duhet të japim maksimumin, por edhe të shpresojmë se kemi nxjerrë leksionet e duhura nga eliminimi i vitit të kaluar përballë Renesë". Kundërshtari i Tiranës, Stabaeku ka pasur fat për sa i përket dëmtimeve. Për momentin ata nuk kanë asnjë lojtar në infermieri, gjë që nënkupton se trajneri Jan Jonsen do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët. Sulmuesi suedez Berglung ka thënë se "duhet të tregohemi të kujdesshëm, nëse do të fitojmë ndeshjen e parë me avantazhin një ose dy gola, do të kemi shanse të kualifikohemi". Po ashtu në radhët e miqve pritet të aktivizohet edhe një talent i ri i futbollit norvegjez, Mikkel Diskerud. Synimi i tyre është të bëjnë surprizën në këtë debutim historik në Champions League.

Kundërshtari

Trajneri i Stabaekut Jan Jonsen: "Skuadra ka fituar qëndrueshmëri në lojë. E njohim kualitetin e Tiranës. Ka një skuadër që punon mirë me topin. Ne duhet të japim maksimumin, por edhe të shpresojmë se kemi nxjerrë leksionet e duhura nga eliminimi i vitit të kaluar përballë Renesë"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›